Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ishte mbrëmjen e djeshme e ftuar në emisionin “Krasta Show” të gazetarit Adi Krasta, ku u pyet lidhur me mundësinë e kandidimit në Tiranë përballë Ogerta Manastirliut në zgjedhjet e ardhshme vendore.

E pyetur drejtpërdrejt nëse do të pranonte të ishte kandidatja e opozitës për Bashkinë e Tiranës, Tabaku nuk dha një përgjigje përfundimtare, por u shpreh se aktualisht fokusi i saj mbetet puna në Kuvend.

“Për momentin jam e përqendruar te lufta që po bëjmë në Parlament. Ndjej përgjegjësinë ndaj atyre që më kanë votuar për të përfaqësuar zërin e tyre dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve në këtë betejë politike që zhvillohet çdo ditë në Kuvend,” – tha Tabaku.

Megjithatë, deklarata e saj nuk e përjashton mundësinë e një kandidimi të mëvonshëm, çka lë të hapur diskutimet brenda opozitës për strategjinë në Tiranë, ku Manastirliu shihet si emër potencial i mazhorancës.