Në një fjalim të mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, i nderuari James C. Moylan nga Guam, përgëzoi zonjën Yuri Kim për daljen e saj në pension, duke theksuar karrierën e gjatë dhe ndikimin e saj në politikën e jashtme amerikane.

Pas 29 vitesh shërbimi si diplomate e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim mbyll një kapitull të rëndësishëm në karrierën e saj. Ajo është një prej figurave më të spikatura amerikane në diplomaci, me kontribut të veçantë në çështje të energjisë, mbrojtjes, teknologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nënvizuar u bë fakti që zonja Kim është bijë krenare e Guamit dhe ka studiuar në universitetet më prestigjioze si Universiteti i Pensilvanisë dhe Universiteti i Kembrixhit. Karriera e saj përfshin poste kyçe në ambasadat e SHBA-së në vende si Koreja e Jugut, Turqia, Iraku, Japonia dhe Kina, si dhe në nivelet më të larta të Departamentit të Shtetit.

Në fjalimin e tij, Moylan theksoi rolin e Kim në bisedimet për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut, si dhe shërbimin e saj si ambasadore në Shqipëri, ku ajo thelloi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Diplomatja ka qenë gjithashtu zv/ndihmëse kryesore për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, duke menaxhuar sfidat më komplekse të politikës globale.

Moylan e përshkroi Yuri Kim si një udhëheqëse me integritet, guxim dhe zemër, që ka shërbyer si mentor dhe shembull për shumë të rinj në shërbimin publik.

Në fund të fjalimit, i nderuari nga Guam i uroi zonjës Kim shumë lumturi dhe sukses në kapitullin e ri të jetës së saj.