Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar sot refuzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për një mocion me debat mbi programin qeverisës. Në një prononcim për mediat, Balla tha se kërkesa nuk ishte në përputhje me rregulloren e Kuvendit, duke ftuar opozitën ta riformulojë atë deri të enjten.
“Kërkuan mocion debat për programin qeverisës dhe katër çështje të tjera. I kam kërkuar kolegëve të opozitës që ta sjellin kërkesën e tyre në përputhje me rregulloren. Në një moment na u tha se duan debat për integrimin – thashë: sjelleni kërkesën për atë çështje. Shumë shpejt do të diskutohet progres-raporti dhe është e rëndësishme të trajtohet institucionalisht”, u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se mazhoranca dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë përpjekje që në seancën e parë të kësaj legjislature për ta çuar punën parlamentare drejt një praktike më institucionale, larg eksperiencave të së kaluarës.
“Shpresoj që deri të enjten, kur do të mbahet seanca, kolegët e opozitës ta kenë riformuluar kërkesën sipas nenit 98 të rregullores. Nëse ndodh kjo, ajo do të miratohet”, theksoi Balla.