Në Konferencën e Kryetarëve, ku mungoi kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi për shkak të përjashtimit 10-ditor, kryetari i grupit socialist Taulant Balla dorëzoi për miratim listën e anëtarëve të 11 komisioneve të reja parlamentare, të ngritura sipas rregullores së re. Kjo rregullore është kundërshtuar fort nga opozita, e cila ka refuzuar të dorëzojë emrat e përfaqësuesve të saj në komisione.
Çështja pritet të kalojë për votim në seancën plenare të së mërkurës, në orën 10:00. Pas mbledhjes, Balla deklaroi se bojkotimi nga opozita nuk do të bllokojë funksionimin e komisioneve:
“Nga 3 grupet parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur propozimet për kryesinë, 4 komisionet tepër të rëndësishme pas vendimit të kuvendit i takojnë opozitës dhe 7 nënkryetarë i takojnë opozitës, duhet domosdoshmërisht që deri ditën kur do ketë seancë, të kenë ardhur”, tha ai.
Aktualisht janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e PS, por komisionet mbeten jo funksionale për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës. Vetë opozita duket ende e paqartë dhe e pa koordinuar për hapat e mëtejshëm.
Deputeti Agron Gjekmarkaj deklaroi:
“Kërkova ripërtëritjen e seancës, kërkova të mblidhet Komisioni i Legjislacionit që të shihet mundësia për mocion ndaj Peleshit, të anulohen dënimet absurde të një rregulloreje absurde të kësaj mazhornace për të dënuar deputetë e opozitës dhe të mos ketë asnjë pengesë për mediat në Kuvend. Do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ne ende nuk kemi marrë një vendim, në momentin që organet e PD do kenë një vendim, ju do jeni të parët që do e merruni vesh.”
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, konfirmoi pjesëmarrjen në komisione:
“Sigurisht që emrat do të dërgohen. Grupi i PL është i vendosur për të shfrytëzuar çdo hapësirë që i jep rregullorja për të qenë pjesë e një parlamenti që sot është një produkt jo i vullnetit të qytetarëve, por i farsës së 11 majit. Siç e kemi theksuar për të mos i lënë asnjë hapësirë bosh Edi Ramës.”
Opozita ka kërkuar gjithashtu shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe përsëritjen e seancës për prezantimin e programit qeverisës, të mbyllur pa debat.
“Ju kryetar e keni zhbërë parlamentarizmin. Opozita kërkon ripërsëritjen e seancës dhe ju duhet të mblidhni menjëherë këshillin e legjislacionit për mocion e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet”, u shpreh Gjekmarkaj.
Kryeparlamentari Peleshi ka autorizuar mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, që do të duhet të shqyrtojë mocionin për shkarkimin e tij. Balla sqaroi:
“Këshilli i legjislacionit është me rotacion, i takon Greta Bardelit ta drejtojë. Ta mbledhin këshillin dhe të shkojmë në parlament…”.
Edhe pse Partia Demokratike ka caktuar drejtuesit për 4 komisionet që i takojnë, si dhe nënkryetarët në komisionet e drejtuara nga mazhoranca, emrat nuk janë dërguar zyrtarisht në Kuvend, ndaj nuk janë votuar.
Komisionet parlamentare dhe drejtuesit e caktuar:
Komisionet nën drejtimin e PS:
- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Milva Ekonomi
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Ulsi Manja
- Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Bledi Çuçi
- Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Anila Denaj
- Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Blendi Klosi
- Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – Igli Hasani
- Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Fatmir Xhafaj
Komisionet që i takojnë PD-së (ende jo të votuar zyrtarisht):
- Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet – Luçiano Boçi (Kryetar), Evis Kushi (Nënkryetare – PS)
- Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale – Bardh Spahia (Kryetar), Eduard Shalsi (Nënkryetar – PS)
- Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Jorida Tabaku (Kryetare), Iris Luarasi (Nënkryetare – PS)
- Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Ina Zhupa (Kryetare), Erjon Malaj (Nënkryetar – PS)
Zhvillimet mbeten të hapura deri në seancën e së mërkurës, ku do të vendoset për konstituimin zyrtar të komisioneve, me ose pa pjesëmarrjen e opozitës.