‘Ylli’ i UFC-së, Conor McGregor, synon të kandidojë për president të Irlandës, por përballë tij qëndron një pengesë e madhe: ai nuk ka përmbushur ende kriteret ligjore për t’u futur në listën e kandidatëve.
Kandidatura e tij, e bazuar në një platformë populiste dhe kundër immigracionit, kërkon mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve që të kontaktojnë këshilltarët lokalë për t’i siguruar nominimin.
McGregor publikoi sot (4 shtator) një video jashtë ndërtesave qeveritare në Dublin, ku rikonfirmoi qëndrimet e tij kundër politikave aktuale të vendit dhe premtimin për të adresuar rritjen e fëmijëve pa strehë në Irlandë nëse zgjidhet president.
Në mesazhin e shoqëruar me videon, ai u bëri thirrje mbështetësve të kontaktojnë këshilltarët lokalë për t’ia siguruar nominimin.
Sipas ligjit zgjedhor irlandez, çdo qytetar duhet të jetë të paktën 35 vjeç dhe të nominohet nga të paktën 20 anëtarë të Oireachtas (parlamenti i Irlandës) ose nga të paktën katër autoritete lokale për t’u futur në listën zgjedhore.
McGregor, i cili fillimisht deklaroi më 27 gusht se kishte siguruar nominimin, tani kërkon ndihmë publike për ta arritur këtë. Ai u shpreh se këshilltarët lokalë janë shtylla kurrizore e komuniteteve dhe duhet të përfaqësohen më mirë.