Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka njoftuar këtë të enjte dorëheqjen nga detyra përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një vendim të marrë me “përgjegjësi morale dhe institucionale”.

Në një letër drejtuar qytetarëve dhe kryeministrit, Dredha thekson se kjo dorëheqje është një akt reflektimi dhe jo një largim nga përgjegjësia publike.

“Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri”, shkruan Dredha.

Ai falënderon qytetarët për mbështetjen dhe mirëkuptimin gjatë periudhës së tij në drejtim të bashkisë, duke shtuar se shërbimi ndaj komunitetit do të vijojë në forma të tjera.

“Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë”, thekson ai.

Dredha përmend edhe arsyet personale, familjare dhe administrative si faktorë që kanë ndikuar në vendimmarrjen e tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbetet i angazhuar për të mirën e qytetit që e konsideron “gjithnjë të parën në zemrën e tij”.

Dorëheqja e tij vjen në një moment kur Bashkia e Vlorës është në fokus të zhvillimeve të ndryshme administrative dhe politike në vend.

Postimi i plotë i Dredhës:

I nderuar z. Kryeministër,

Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.

Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.

Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve tëreja.

Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.

Kryeministër, Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.

Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët.

Me respekt të thellë,

Ermal Dredha