Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka nisur të prezantojë para deputetëve programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Ai u ndal te Diella, e cila sipas tij do ta pozicionojë bukur Shqipërinë në fushën e teknologjisë.
“Diella, Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin e këtij procesi. Ajo do mbështetet nga Akseleratori me emrin ‘AI 4’, ‘Albanian Innovation 4’, i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, me plotfuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim-përcaktim të Inteligjencës Artificiale në çdo hap e në çdo fushë. Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit, duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë dhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës.
Do të përqendrojë një masë kritike talentesh e problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et, por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël autogjenerues inovacioni.
Diella me akseleratorin e saj AI 4 do ta pozicionojë bukur Shqipërinë si një vend me ambicie të madhe në fushën e qeverisjes, përmes digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, si dhe do të kombinojë peshën e shtetit me zhdërvjelltësinë e startup-eve duke bashkuar në korsinë e përparimit shërbimin publik me sipërmarrjen inovative, dhe duke i kthyer institucionet në platforma zhvillimore të Inteligjencës Artificiale.
Unë jam i keqardhur për kundërshtinë ndaj Diellës si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe për keqkuptimet e mëdha lidhur me rolin dhe me pritshmërinë prej saj. Duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e Presidentit si pjesë përgjegjësie e imja, dhe duke qenë se koha e fjalës sime është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet Kuvendit, përpara se të vazhdoj më tej me programin e qeverisë së re, kërkoj nga shërbimi i Kuvendit që t’i japë fjalën Diellës”, tha Rama.