Me 11 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, ka miratuar zyrtarisht këtë të mërkurë nisjen e procedurave për përzgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar data 8 tetor, ndërsa kandidatët duhet të paraqesin në platformën e tyre disa pika kyçe që do të jenë vendimtare në procesin e përzgjedhjes:
Eksperienca në çështje sensitive, sidomos ato që lidhen me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit;
Aftësitë drejtuese dhe organizative, të domosdoshme për menaxhimin e një strukture të posaçme si SPAK;
Përvoja në hartimin dhe miratimin e rregulloreve administrative, që sigurojnë funksionimin institucional;
Eksperienca në çështje me jehonë të lartë publike dhe ndërveprimi me median në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente;
Aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, me fokus në drejtim efektiv dhe motivim profesional;
Vizioni strategjik për organizimin dhe funksionimin e SPAK, që garanton një institucion të pavarur dhe efikas;
Imazhi publik dhe integriteti profesional përgjatë karrierës si prokuror.
Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe OPDAT.