Ishte 2 shtatori i vitit 2015 kur trupi i Alan Kurdit, me bluzën e kuqe dhe pantallonat blu, u gjet i shtrirë përmbys në bregun e plazhit të Bodrumit. Fëmija kurd sirian, 3 vjeç, me origjinë nga Kobane, ishte nisur bashkë me familjen e tij natën, me një gomone të mbingarkuar, drejt ishullit grek Kos. Si të gjithë pasagjerët e tjerë, mbante një jelek shpëtimi të rremë, ndonëse babai i tij kishte paguar mbi 5 mijë dollarë për atë udhëtim që zgjaste vetëm disa minuta.
Trupat e Alanit dhe të një vajze tjetër të vogël u zbuluan në agim nga një kamarier që punonte në një hotel përballë plazhit. Mehmet Çıplak, polici i parë që mbërriti në vendin e ngjarjes, e përshkroi zbulimin si diçka që e kishte «shkatërruar përbrenda». Ai rrëfeu se, kur e pa Alanin përmbys, «kishte shpresuar që fëmija të ishte gjallë», por kur e ktheu dhe kuptoi se kishte vdekur, u ndje i rrënuar. Një imazh shumë më i fortë se ai, gati i butë, i kapur nga fotografja Nilüfer Demir, që tregonte Alanin sikur të ishte në gjumë – e që gjithsesi u bë simbol i dështimit të politikave migratore të Evropës.
Ashtu si atëherë, sapo ishim kthyer nga pushimet në po ato plazhe ku ishte thyer ëndrra e shpëtimit për një familje të tërë. Në atë kohë ishte lufta në Siri dhe sulmet e ISIS-it ato që detyronin mijëra prindër të ngarkonin fëmijët në gomone dhe varka për t’i shpëtuar. Mijëra humbën jetën në përpjekje për të arritur Evropën. Por mijëra të tjerë ia dolën, duke gjetur në Gjermani, Danimarkë, Suedi një strehë të sigurt për të nisur një jetë të re.
Kjo nuk ndodhi për familjen Kurdi, e cila kishte provuar më kot të merrte azil politik në Kanada. Historia e tyre bëri xhiron e botës. Channel 4, në vend të mesazhit tradicional të urimit të Mbretëreshës Elizabetë për Krishtlindje, thirri si folës Abdullah Kurdi, babain e mbijetuar, i cili tha:
«Kur dikush të mbyll derën në fytyrë, kjo është vërtet e vështirë. Por kur një derë është e hapur, ti nuk ndihesh më i poshtëruar. Në këtë periudhë të vitit, do të doja t’ju lutesha të gjithëve të mendoni për dhimbjen e atyre baballarëve, atyre nënave dhe atyre fëmijëve që po kërkojnë paqe dhe siguri. Ju kërkojmë vetëm pak mirëkuptim. Shpresoj që vitin tjetër lufta në Siri të përfundojë dhe paqja të mbretërojë në botë».
Sot, dhjetë vjet më vonë, jo vetëm që paqja nuk mbretëron në botë. Por ai i njëjti det është kthyer në një varr, që përveç se mban brenda tij mijëra trupa që kurrë nuk iu kthyen tokës, është bërë kurth për 2 milionë banorët e Gazës që nuk mund të largohen nga Rripi. Sepse në këto dhjetë vjet, jo vetëm që nuk kemi qenë të aftë të krijojmë një sistem që u lejon refugjatëve të kalojnë kufijtë në mënyrë të ligjshme pa rrezikuar jetën, por kemi lejuar gjithashtu që dy luftëra të reja ajo në Lindjen e Mesme dhe ajo në Ukrainë – të sakrifikojnë përditë mijëra e mijëra fëmijë të tjerë si Alan.
«Kush largohet nga shtëpia e tij, pothuajse asnjëherë nuk ka një zgjedhje tjetër», shpjegoi dhjetë vjet më parë për Corriere della Sera Tima Kurdi, halla e Alanit, e cila nuk e kishte njohur kurrë nipin, por jeta e saj u shënua njësoj nga ai mbytje tragjik në brigjet turke. Dhe nuk kanë zgjedhje as banorët e Gazës, të bllokuar, të shtypur e peng i Hamasit, por edhe i ushtrisë izraelite që i urinë dhe i vret. Ashtu siç nuk kanë zgjedhje as prindërit ukrainas që duhet të fshihen me fëmijët e tyre në bunkere për t’u shpëtuar sulmeve ajrore ruse.
Mesdheu është një det i pamëshirshëm, i thellë, i pangopur me jetë njerëzish. Në këta dhjetë vjet janë regjistruar 28 mijë viktima në përmbytjet përgjatë rrugëve të ndryshme migratore, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM). Një pjesë e konsiderueshme e këtyre janë fëmijë rreth 3.500 të mitur kanë vdekur gjatë kalimit. Si të zhdukej papritmas një vend i tërë i përbërë nga fëmijë si Alan, me bluzë të kuqe dhe pantallona të kuqe. Pothuajse një në ditë për 10 vjet.
«Kurrë më’ kemi dëgjuar në 2015. E kam dëgjuar me dhjetëra herë. Dhe çfarë ka ndryshuar? Sa shpirtra të pafajshëm janë humbur në det që prej asaj kohe?», tha halla e Alanit vitin e kaluar, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve. «Çfarë ndjetë kur patë atë imazh të nipit tim? Çfarë thatë, çfarë bëtë? Unë, kur mësova për mbytjen e nipit tim, rashë në tokë duke qarë dhe bërtitur më fort që të mundesha, sepse doja që bota të më dëgjonte! Pse ata? Pse tani? Dhe kush do të jetë tjetri?»
Për të zëvendësuar përfundimin e misionit Mare Nostrum, shoqëria civile evropiane ka krijuar këto vite një flotë anijesh të organizatave joqeveritare për të provuar të shpëtojë disa prej mijëra Alanëve. Të kundërshtuara nga qeveritë, shpesh të akuzuara si mjete politike, ato anije – njëra prej tyre mban emrin e Alanit – kanë përshkuar detin edhe në mes të stuhive dhe rreziqeve.
Sepse Mesdheu është edhe det që di të jetë bujar, përveçse i pamëshirshëm: një shembull i kësaj është mobilizimi ndërkombëtar për Sumud Flotilla, e cila këto orë po niset nga porte të ndryshme drejt Gazës. Xhenova, Tunizia, Sicilia, Spanja, Greqia, si të donte që, pas dhjetë vitesh, të vinte më në fund një shenjë shprese nga bregu, një mesazh në shishe që thotë se nuk është më e pranueshme që të gjithë Alan Kurdi-t e botës dhe detit tonë të vdesin të mbytur apo nga uria./Corriere Della Sera