Gjermania ka dalë hapur në mbështetje të Polonisë, e cila ka aktivizuar Nenin 4 të NATO-s pas një incidenti serioz gjatë natës, ku dronë rusë kaluan në hapësirën ajrore të saj.
Sipas mediave ndërkombëtare, Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një fjalimi në Dhomën e Ulët të Bundestagut, konfirmoi se dronët ishin “qartësisht të armatosur”. Ai theksoi se sistemet gjermane të mbrojtjes ajrore Patriot, të vendosura në Poloni, u përfshinë menjëherë në reagim, duke përdorur radarët për të zbuluar mjetet ajrore, por pa lëshuar asnjë raketë.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm gjerman deklaroi se “Rusia nuk është e gatshme për diplomaci”, duke paralajmëruar një “përgjigje të fortë” nga Perëndimi.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij holandez, zëvendësministri gjerman i Mbrojtjes, Johann Wadephul, u shpreh i ashpër ndaj Moskës:
“Rusia ka pranuar në mënyrë të pamatur një përshkallëzim të rrezikshëm. Fatkeqësisht, është e qartë se edhe pas tre vitesh, Moska ende nuk është e përgatitur të negociojë seriozisht për paqen. Përkundrazi, Kremlini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën me forcë. Ne duhet dhe do t’i përgjigjemi kësaj me një qëndrim të qartë.”
Neni 4 i Traktatit të NATO-s parashikon konsultime urgjente mes aleatëve kur një shtet anëtar ndjehet i kërcënuar. Aktivizimi i tij nga Polonia tregon seriozitetin e situatës dhe rrit tensionet mes aleancës dhe Rusisë.