Këtë të martë do të bëhet zgjedhja e anëtarit që do të zëvendësojë Holta Zaçajn në Gjykatën Kushtetuese. Në garë janë tre kandidatë kryesorë, të përzgjedhur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) bazuar në pikëzimin e tyre.

Më shumë pikë ka marrë Asim Vokshi, anëtar aktual i Gjykatës së Lartë, me 89.5 pikë, i ndjekur nga ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, me 89.3 pikë dhe ish-komisioneri publik në procesin e vettingut, Florian Ballhysa, me 77.83 pikë.

Këta tre emra u dalluan nga gjashtë kandidatët e përzgjedhur në këtë procedurë, ndërsa kandidatët Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro mbeten jashtë garës për këtë vend.

Zgjedhja finale do të bëhet nga Gjykata e Lartë, ku për të qenë e ligjshme mbledhja e emërimit duhet të jenë prezentë të paktën 13 nga 17 gjyqtarët aktualë. Kandidati që siguron tri të pestat e votave të pranishme shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet kjo shumicë, automatikisht do të konsiderohet i zgjedhur kandidati me pikët më të larta nga KED, pra Asim Vokshi.

Ky emërim prek vetëm vendin e Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të nisin menjëherë pas.