Para disa ditësh afër vilës së ish kryetarit të bashkisë së Kamzës, aktualisht deputet i PD për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, u vu një sasi tritoli, i cili shpërtheu në mesnatë, duke tronditur Kamzën dhe zonën përreth!
Për fatin e mirë të Mziut dhe familjes së tij, tritoli ishte vënë afër murit rrethues të vilës luksoze të tij, dhe gjatë shpërthimit nuk preku as jetën dhe as shëndetin e tij dhe të familjarëve, apo të shkaktonte dëme materiale!
Sipas asaj që raporton policia e shtetit, kamerat e sigurisë kishin fiksuar një të ri me kapuç, ndërkohë që për koncidencë kamerat e vilës së deputetit të PD, ish kryebashkiakut Mziu nuk kishin qënë në gjendje pune atë natë!
Nuk paragjykojmë askënd, por sikur po ndodhin shumë raste ku ‘kamerat nuk punojnë’ atëherë kur pikërisht është më se e domosdoshme që të filmojnë ndonjë gjë! Por meqë s’kanë filmuar, dhe ne po ecim me versionin e policisë, duke qënë se autori i këtij akti ka mbetur mister! Ose zhytet në mister, nga policia për të mos prishur provat si dhe për të mos ‘alarmuar’ autorin e vendosjes së tritolit në murin rrethyer të vilës së deputetit të PD që ta kapin më pas. Ndërsa vetë i zoti i shtëpisë, pra Mziu, i jep drejtim pistës që i intereson! Jo se s’ka dyshime dhe ai për autorin, të jemi korrektë! Megjithatë, për të mirën e deputetit por dhe të komunitetit, urojmë që autori i kësaj vepre të arrestohet në vend, të zbardhë motive dhe të marrë dënimin që meriton!
E themi këtë sepse deputeti i PD, njëherësh ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, që në krye të herës kur ka dalë në deklarata publike, madje me ‘doktorin’ e investigimit Sali Berisha, i mëshoi fort pistës politike si shkak për vendosjen e tritolit në murin rrethues! Pasi Mziu tha se nuk kishte konflikt me askënd, as në Kamzë dhe as në Dibër, pavarësisht se kishte qëndruar kryetar bashkie tre mandate, si dhe deputet është në mandatin e dytë tashmë!
Deklarimin e Mziut herën e parë krah Berishës pakkush ia mori për bazë, pasi atij i duhej t’i jepete një drejtim politik, edhe për kredo politike! Për më tepër, të jesh krah doktorit përballë mediave, është e pashmangshme në këtë ambient toksik poliik në të cilin operojnë deputetët e PD që të mos akuzosh kundërshtarin politik, si shkaktar i këtij akti, për hir të së vërtetës ende i pazgjidhur motivi nga ana e organeve ligjzbatuse! Madje është ‘detyrim’ për të mbijetuar!
Por kur të njejtën akuzë e përsëriti sërish për herë të dytë një ditë më vonë, duke nënvizuar se ‘absolutisht unë e konsideroj një dorë të pastër të qeverisë që e ka përdorur këtë për të na trembur e joshur, për të na bërë që të mos merremi me qeverinë’, pasi sipas tij ‘e kam vrarë mendjen gjithë këto ditë por nuk po gjej asnjë argument qoftë edhe konflikti që unë mund të kem patur qoftë edhe verbal me asnjë person, është përdorur ky instrument për të presionuar opozitën siç bëjnë veprime të tilla ndaj ndonjë biznesi për t’ju dhënë shembull të tjerëve apo rrëshqitje në një vend tjetër pavarësisht se objekti është me leje”, atëherë edhe ne na lindi dyshimi i arsyeshëm se Mziut i është kthyer bindje justifikimi i aktit të vendosjes së tritolit në murin rrethues të vilës, me pistën politike! Ose kërkon të jetë në qendër të vëmendjes! Ku i dihet!
Ajo që na bën të mendohemi fort përpara se të japim dhe ne një mendim modest në lidhje me këtë rast është se sa mban kjo pistë politike në rastin e tritolit në murin rrethues të vilës së ish kryebashkiakut e deputetit aktual të PD, Xhelal Mziu, kush kishte interes politik për këtë akt?!
Në krye të herës, mazhoranca socialiste, sikurse pretendon deputeti Mziu se ka ‘dorë’ në këtë akt, s’ka asnjë interes! E themi këtë sepse, PS ka 83 mandate deputeti plus 3 mandate të aleatit hipotetik PSD, që bëjnë 86 mandate në Kuvendin me 140 deputetë gjithësej, dhe as që i intereson politikisht çfarë ndodh në nivelet e poshtme të politikës, ku opozita kryesore bashkë me aleatët e saj ka 50 mandate deputeti, plus dhe 4 mandate të tjera të opozitës së re, gjithsej plot 54 mandate deputeti në Kuvend!
Pra në planin politik, PS dhe PSD, të dyja bashkë kanë shumicën e cilësuar në Kuvend për të miratuar të gjitha ligjet në funksion të integrimit të vendit, pa pasur asnjë nevojë që të bëjnë presion ndaj asnjë deputeti, aq më tepër Xhelal Mziut, për votën e tyre apo dhe për t’i mbyllur gojën në Kuvend apo jashtë tij! Për më tepër që PS ka dhe 54 bashki të fituara në zgjedhjet e 2023, përkundrejt 7 bashkive periferike të të gjithë opozitës së bashkuar, nga 61 bashki gjithsej!
PD nuk ka lënë gjë pa bërë kundër Ramës e mazhorancës socialiste, që nga djegia e mandateve e deri tek sulmi ndaj institucioneve me molotov e mjete të tjera rrethanore, si dhe nuk ka lënë deklaratë e akuzë pa artikuluar kundër qeverisë së PS, dhe jo vetëm që nuk e ka dëmtuar këtë mazhorancë, por votat dhe mandatet e PS nga zgjedhjet në zgjedhje, janë rritur në progresion aritmerik, nga 74 mandate deri në 83 mandate deputeti në zgjedhjet e 11 majit të këtij viti!
Parë në këtë këndvështrim, mazhoranca socialiste është forca më e interesuar që deputetët dhe lidershipi i PD të mos e mbyllin asnjëherë gojën, të jenë sa më të lirë që të bëjnë akuza publike, të marrin pjesë në të gjitha panelet televizive me të gjithë arsenalin e akuzave dhe të gjuhës së dhunshme që përdorin kundër mazhorancës, pasi janë në këtë mënyrë dhe një nga ‘nxitësit’ më të fortë për prodhimin e votës kundër vetes dhe pro PS! Aq më pak të ketë interes të ‘joshë’ apo të kërcënojë demokratët, e konkretisht Mziun për ndonjë votë pro PS!
Si me 86 vota në Kuvend, PS-PSD, si me 87 vota bashkë me Mziun, në një rast hipotetik, njëlloj janë! PS s’jep ‘pazar’ për shumicën e cilësuar, i ka vetë votat! Për shumicën kushtetuese, nuk mbetet asgjë në dorë të ‘doktor’ Mziut, është ‘Doktori i madh’, vetë Sali Berisha ai që i mbyll punët në PD, dhe Mziu i bindet me një këmbë! E ka treguar me kohë dhe vakt, që prej 35 vitesh se nuk ‘pipëtin’ njeri në atë parti, PD-në e ka pronë famljare Berisha, dhe s’të lë të ‘piprosh’ aty!
Kështu që pista ‘politike’ për vendosjen e tritolit në murin rrethues të vilës luksoze të ish kreut të bashkisë së Kamzës, aktualisht deputet i PD, Xhelal Mziu, jo vetëm që nuk ka asnjë arsye që të ndodhë për vetë gjendjen rrënuese në të cilën gjendet aktualisht opozita të cilën nuk ke ku ta kapësh, por kjo pistë nuk besohet as nga vetë demokratët, as nga qytetarët, madje as nga vetë Mziu dhe Berisha, sepse nuk ka asnjë ‘këmbë’ ku të mbështetet si pistë, qoftë dhe joserioze!
Madje demokratët që po presin ‘thumba’ tash e 12 vite në opozitë, dhe po përjetojnë dhe 4 vite të tjera të garantuara jashtë pushtetit, pa llogarituar vitet e tjera të ‘premtuara’ në opozitë, po pyesin veten se si ka mundësi që deputetët dhe lidershipi i tyre kanë kaq shumë pasuri, vila, pallate me shumicë, këtu dhe në shumë kryeqytete të Evropës, vila në Gjirin e Lalzit, Qerret, Himarë e Sarandë e në zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe të vijës bregdetare shqiptare. Madje paguajnë jo pak, por dhe 6 milionë dollarë për një vizë në SHBA apo për heqjen e ‘non gratës’ si në rastin e Berishës, në vend që të financonin fushatën e 11 majit për të arritur ndonjë rezultat pozitiv, pra për të qënë të paktën afër rezultatit të zgjedhjeve 2021 të paktën! Të arrinin Bashën me një fjalë!
Dhe në këtë kontekst, ata pyesin edhe si e bëri këtë vilë ish kreu i bashkisë së Kamzës, deputeti aktual i PD, Xhelal Mziu! Janë shumë para, për të ta përballuar me një rrogë drejtori ujësjellësi, kryetari bashkie apo tani deputeti! Ndërsa justifikimi se i ka fituar në emigracion në Greqi, i bën të dyshojnë, pasi pjesa më e madhe e demokratëve por dhe shqiptarëve, i kanë marrë vetë rrugët e kurbetit, ose kanë njerëzit e tyre andej, dhe sërish kothere kanë mbetur! Shtëpia ka shumë ‘vrima’ të cilat mezi mbyllen, jo më të përballohen vila luksoze me paratë e fituara nga puna në emigracion! Greqia s’ka pasur as s’ka lekë, thjeshtë të mban shpirtin gjallë, bashkë me familjen si dhe ndonjë investim modest për një shtëpi mbi kokë në rastin më fatlum! Por, këto dyshime të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë për vilën e deputetit Mziu, mund të marrin përgjigjie nga Inspektorati i Kontrollit e Deklarimit në Pasurisë, pasi ai e bën ‘vetingun’ e deputetëve!
Në përmbledhje të gjithë asaj që nënvizuam, si dhe faktit që në disa raste, dhe në këtë rastin e fundit, për fatin e mirë tritoli nuk vendoset në vila por në murin rrethues të tyre, dhe kjo tronditëse është, seç na erdhi në kujtesë një film i hershëm i adoleshencës sonë, i cili bënte fjalë pikërisht për këto shembjet e mureve rrethuese me sa na kujtohen, sepse e kemi parë asokohe mbi 30 herë dhe pastaj kur u ‘lirua’ fare pas viteve ’90 që nuk na shkonte më mendja ta shihnim, aq shumë e kishim parë! Kalamaj ishim atëherë, se mos kishim filma të tjerë! Ishte filmi turk “Shamikuqja”, dhe me gjithë përpjekjet tona, nuk na kujtohej mirë nëse personazhi kryesor e kishte përplasur me dashje apo pa dashje, i dehur nga dashuria e humbur, makinën me murin rrethues të shtëpisë ku ishte strehuar “Shamikuqja’ me djalin e saj!
Megjithëse nga ajo që kuptuam atëherë nga “Shamikuqja’, si fëmijë gjysmë të rritur që ishim atëherë, ishte se për gruan s’të fal njeri, s’ta harron as për 100 vite! Nuk po bëjmë aspak analogji me akuzat e përqasjet që kanë ndodhur kohë pas kohe në ditët e sotme, në kohën e internetit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, debatet dhe akuzat për ‘Shamikuqet’ shqiptare, një pjesë e të cilave të larguara jashtë vendit, për një jetë më të mirë, si dhe larg ngacmimeve e me “Ndriçime” të jetës së tyre bashkë me familjarët e tyre, në botën e qytetëruar! Kanë marrë ‘detin më këmbë’ prej zorit ato! Në Shqipëri njerëzit akuzojmë kollaj, por asgjë nuk vertetohet me fakte.
Ndaj këto ‘grimca’ na erdhën në kujtesë pas akuzave politike në selinë e PD për tritole në rrethimet e vilave, duke tentuar të shpjegoj faktin e prishjes së mureve rrethuese, me dashje apo pa dashje! Nuk përjashtojmë mundësinë që Mziu mund të jetë dhe ‘as’-i i fundit nën mëngë i Berishës për ta kandiduar në Tiranë, përballë Manastirliut. Për të humbur, kuptohet. Pasi të gjithë emrat e përmendur deri më tani si kandidatura të mundshme për PD, kanë refuzuar! Kamza aty është, s’është larg, madje dhe rruga e re e Arbrit ka afruar shumë edhe Dibrën me Tiranën!