Kreu i Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga detyra, duke e formalizuar largimin në muajin nëntor të këtij viti. Përmes një mesazhi, Mustafaj ka bërë të qartë se vendimi i tij është marrë më herët, më 5 mars, përpara nisjes së fushatës, për të shmangur çdo keqinterpretim.

Mustafaj thekson se tre vite në krye të këtij departamenti janë të mjaftueshme për të zbatuar vizionin dhe idetë e tij, duke argumentuar se drejtuesit administrativë nuk duhet të qëndrojnë gjatë në poste që mund të bllokojnë garën e brendshme, duke nënkuptuar kështu një ‘mesazh’ të qartë për kreun e PD-së, Sali Berisha.

“Meritokracia nënkupton mundësinë për të arritur majat dhe nëse një drejtues administrativ qëndron shumë gjatë duke bllokuar mundësinë e garës, ikën kjo ndjenjë tek anëtarët duke rrezikuar vetë strukturën,” shkruan ai, duke dhënë një mesazh të qartë mbi nevojën e hapjes dhe rinovimit brenda PD.