Zyra e Kryeministrit britanik Keir Starmer ka njoftuar emërime të reja në poste ministrore të nivelit të dytë, si pjesë e një ristrukturimi të qeverisë që erdhi pas dorëheqjes së zëvendëskryeministres Angela Rayner të premten.
Dorëheqja e Rayner erdhi pasi këshilltarja për etikën pranë kabinetit zbuloi se ajo kishte shkelur kodin ministror, për shkak të mosdeklarimit të plotë të detyrimeve tatimore që lidhen me një apartament në pronësi të saj në East Sussex.
Ndër lëvizjet më të rëndësishme spikat largimi i Angela Eagle dhe Diana Johnson nga pozicionet e tyre në Ministrinë e Brendshme një zhvillim që, sipas analizës së redaktorit politik të BBC-së, Chris Mason, përbën një “spastrimi të dukshëm”.
Ndër emërimet e reja më të komentuara është përfshirja në kabinet e Jason Stockwood, një sipërmarrës i njohur nga Grimsby.
Stockwood pritet të marrë postin e ministrit të biznesit, duke u bërë pjesë e qeverisë përmes një emërimi në Dhomën e Lordëve, edhe pse ai nuk është deputet i zgjedhur në Parlament.
54-vjeçari është i njohur jo vetëm për aktivitetin e tij në botën e biznesit, por edhe si ish-kryetar i klubit të futbollit Grimsby Town FC. Ai vazhdon të mbetet bashkëpronar i klubit, që aktualisht garon në kategorinë e katërt të futbollit anglez (League Two).
Kjo nuk është ndërhyrja e tij e parë në skenën politike. Më herët gjatë këtij viti, Stockwood kandidoi për postin e kryetarit të parë të zgjedhur të autoritetit të Greater Lincolnshire, por u mposht me një diferencë të madhe nga kandidatja e Reform UK dhe ish-deputetja konservatore, Dame Andrea Jenkyns.
Gjatë fushatës, ai u përpoq të theksonte rrënjët e tij të thjeshta në një lagje komunale të Grimsby-t, duke u zotuar se do të punonte për të përforcuar ndjenjën e komunitetit, sigurisë dhe krenarisë lokale.