Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se vendi ynë ndodhet një hap larg ëndrrës evropiane. Në ditën e dytë të konferencës së ambasadorëve DIPLO2025, Balluku u shpreh se ka ardhur koha që ambasadorët të angazhohen secili në detyrën e tij për të përmbushur kërkesat.

“Shqipëria e turizmit, e kulinarisë, ju jeni me fat sepse promovoheni nga një kryeministër që sot përfaqëson një brand më vete. Do të propozoja sot që ministria e jashtme ta shohi rikthimin në bazë semestrash për t’ju dhënë informacionin e duhur. Ndryshimet që vendi ynë pëson janë me muaj dhe shpesh herë me javë. Ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin. Shqipëria është vetëm një hap larg ëndrrës së saj të madhe, po flasim për një realitet të prekshëm dhe po dëgjojmë nga diplomatët europianë se kemi afër datën për tu anëtarësuar në BE.

Duhet të angazhohemi secili në detyrën e tij për të përmbushur detyrat dhe kërkesat që nisin me diplomacinë dhe përfundojnë me shtimin e kapaciteteve. Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme dhe po ndërton një ekonomi konkuruese dhe transparente. Sot Shqipëria e thotë me gojën plot se është një nga vendet më atraktive jo vetëm për burimet që ka, këto mundësi investimi i ndërton me një transparencë europiane. Në Shqipëri kompanitë më të mëdha të ekselencës janë në vendin tonë falë një politike transparente,” tha Balluku.