Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për Klan Kosova teksa ka folur për situatën aktuale në Kosovë, për zhvillimet e fundit politike dhe rajonale si dhe gjykimin në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.

Për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Europian, Rama tha se është e vetmja formë që shteti të fitojë paqen. Kryeministri u shpreh se Kosova nuk duhet të mendojë aspak për Serbinë në arritjen e qëllimeve të veta, ‘këshilla’ këto që i adresohen dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Që të fitojë paqen do të thotë që të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është e gjitha. Që ta bëjë këtë nuk duhet të shoh fare nga Beogradi, nuk duhet të mendojë fare për Serbinë, nuk duhet t’ia di fare për çfarë thonë apo çfarë pretendojnë serbët, por duhet të bëjë detyrat e veta.

Duhet t’i bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët. Dhe këto lidhen me dialogun por lidhen me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara pastaj, që do të thotë se nëse në tryezën e dialogut janë ‘x’ pika për tu përmbushur, Kosova t’i bëjë në mënyrë unilaterale dhe të shkojë përpara. Nuk ka rëndësi fare se çka bën Serbia, kurrë mos i bëftë, s’ka asnjë problem”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se nëse Kosova përmbush obligimet e veta si shtet dhe Serbia jo, atëherë Kosova më drejtë i thotë të gjithëve “shkoni merruni me Serbinë, unë dua vendin tim, dua rrugën time, dua vëmendjen time’”.

Ndër të tjera, Rama foli dhe për Gjykatën Speciale të Hagës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të akuzuar për krime lufte.

Rama u shpreh se krijimi i Gjykatës Speciale erdhi pas një raporti të politikanit zvicerian Dick Marty të titulluar “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë” gjatë luftës në Kosovë.

Gjithashtu dhe dëshmitarët që kanë marrë pjesë në këtë proces, kryeministri Rama i ka cilësuar aktorë të epokës së Millosheviçit.

“Po të shohësh se çfarë e nxiti krijimin e Gjykatës Speciale edhe për çfarë po flitet në këtë proces, se në fund të ditës është harruar se krijimi i Gjykatës është nxitur nga raporti i famëkeqit Dick Martyt, dhe nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë shkronjë dhe asnjë tingull të lidhur me atë trafik organesh, qoftë në atë çarçafin e akuzës, qoftë në gjithë zhvillimin e procesit.

Pra, që këtu ka një devijim dramatik dhe është e gjitha një histori insinuatash e pa mbështetur në asnjë provë bindëse, përkundrazi e mbështetur nga dëshmitarë super-qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviqit”, u shpreh Rama.