Kryeministri Edi Rama po prezanton ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala.

Prezantimi i ministres së re bëhet në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Edi Rama: Ajo ka spikatur si akademike, mjeke dhe drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës.

Ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 ligjërata, ndërkohë që bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura evropiane. Po ashtu ministrja jonë e re e Shëndetësisë është personalitet i vlerësuar me çmime dhe vlerësime prestigjioze ndërkombëtare. Ajo sjell edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të botës.

Në mandatin e parë mbyllëm gropa të thella, në dy mandatet e tjera bëmë investime të qenësishme. Në mandatin e tretë rritëm pagat e mjekëve dhe infermierëve. Në mandatin e katërt duam të shkojmë më tej dhe të hyjmë më thellë në përmbajtjen e transformimit sa i përket asaj që duhet që shëndetësia t’u ofrojë qytetarëve përtej infrastrukturës së transformuar dhe asaj që i detyrohemi mjekëve dhe infermierëve.