Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna për rilindjen e Qendrës së Artit “Vaçe Zela” në Lushnjë, që po shkon drejt përfundimit.

Rikonstruksioni i kësaj qendre është një investim që i rikthen qytetit një hapësirë të re kulturore, theksoi Rama.

Rikonstruksioni i Qendrës së Artit “Vaçe Zela” në Lushnjë do t’i shërbejë gjallërimit të jetës kulturore të qytetit.

Qendra me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj., është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale, përfshin ndërtimin e një salle moderne teatri, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.

Ndërhyrja është komplekse, pasi dhe vetë objekti është i tillë. Rikonstruksioni financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas projektit, një pjesë e elementeve do të ruhen dhe do të restaurohen. Por, nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin nga pikëpamja e punimeve civile, por është edhe e gjithë pjesa e mobilimit.