Avioni i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të ulet në Bullgari duke u bazuar vetëm te hartat e printuara të aeroportit, për shkak të një sulmi të dyshuar rus që bëri që shërbimet e navigimit GPS të mos funksiononin. Kështu raporton Financial Times, duke cituar tre burime të njohura me situatën.
Lajmi është konfirmuar për Corriere edhe nga zyrtarë të Eurocontrol, agjencia evropiane që koordinon trafikun ajror mbi kontinent, si dhe nga hartat teknike që monitorojnë këtë fenomen.
Ngjarja ndodhi të dielën pasdite, më 31 gusht. Avioni privat po transportonte presidenten von der Leyen në Plovdiv, Bullgari, kur pilotët, gjatë fazës së zbritjes, humbën mundësinë për të përdorur instrumentet elektronike të navigimit që mundësojnë aterrim sa më të saktë, pavarësisht nga kushtet e motit. Zyrtarët e kontaktuar nga gazeta britanike flasin për një “operacion ndërhyrjeje rus”.
“E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS”, tha njëri prej tyre për Financial Times.
Pas një ore fluturimi mbi aeroport, piloti vendosi të aterrojë “manualisht”, duke përdorur hartat analoge, të cilat janë gjithmonë në kabinën e pilotit për raste të tilla, kur instrumentet elektronike nuk funksionojnë.