Nga Elton Metaj/

Manuel Noriega, lider ushtarak dhe drejtues i shërbimeve sekrete të Panamasë, u dorëzua në duart e marinsave amerikanë më 3 janar 1990, pasi qëndroi për 10 ditë i strukur në ambasadën e Vatikanit. Prej asaj dite e derisa ndërroi jetë, sunduesi i vendit të Karaibeve që lidh Oqeanin Paqësor me atë Atlantik, shëtiti në burgjet amerikane, franceze e panameze.

Ndonëse dikur bashkëpunëtor i amerikanëve dhe shërbimeve të tyre inteligjente, #Noriega u ngjit në një avion të DEA-as (agjencisë kundër narkotikëve) dhe u dënua me 40 vjet për trafik droge, shantazh dhe pastrim parash, për t’u ekstraduar në Francë dhe së fundi në vendin e tij, ku qëndroi në burg për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Në një trajektore të ngjashme duket se po ecën tashmë Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, për kokën e të cilit, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të paguajnë 50 milionë dollarë. #Maduro akuzohet nga SHBA për korrupsion dhe ndihmë të karteleve të drogës, duke u cilësuar si lideri i organizatës së përcaktuar si narko-terroriste ‘Cartel de Los Soles’ dhe përgjegjës për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Departamenti amerikan i Drejtësisë e akuzon Maduron dhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Venezuelës për narko-terrorizëm, korrupsion, trafik droge dhe akuza të tjera kriminale.

Sipas administratës amerikane, për vite me radhë Maduro dhe njerëzit e tij kanë manipuluar sistemin elektoral të Venezuelës për të mbajtur grupin e tyre të paligjshëm në pushtet. Me qasjen e re të Presidentit #Trump për të cilësuar si terroriste organizatat ndërkombëtare të trafikut të drogës, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për të punuar me partnerët për të bërë përgjegjës regjimin e korruptuar, të paligjshëm dhe kriminal të Venezuelës.

Departamenti i Thesarit e ka sanksionuar “Cartel de los Soles”, i njohur si Karteli i Diejve, si “organizatë terroriste botërore”. Sipas SHBA, ky kartel drejtohet nga Maduro dhe individë të tjerë në nivele të larta të regjimit, “të cilët kanë korruptuar institucionet e qeverisë së Venezuelës, përfshirë pjesë të ushtrisë, aparatit të inteligjencës, legjislativit dhe gjyqësorit për të ndihmuar përpjekjet e kartelit të trafikojë drogë në Shtetet e Bashkuara”.

Në këtë kuadër, SHBA kanë dislokuar rreth 4 mijë marinsa dhe ushtarë në ujërat rreth Amerikës Latine dhe zonës së Karaibeve për të goditur kartelet e drogës. Dy ditë më parë, me urdhër të Presidentit Trump, forcat amerikane vranë 11 narkoterroristë, të cilët transportonin drogë drejt Floridës.

Megjithatë çmenduria e Maduros nuk u ndal. Dy avionë F-16 fluturuan ultazi mbrëmjen e fundit mbi një destrojer amerikan, të pajisur me raketa, në një akt të cilësuar nga Uashingtoni si provokim i madh. Pentagoni e paralajmëroi prerë Maduron të mos bënte më përpjekje për të penguar apo ndërhyrë në operacionet antidrogë apo antiterror.

Një përshkallëzim i fortë, që duket të ketë lidhje edhe me zhvillime të tjera gjeopolitike. Maduro u shfaq pak ditë më parë në publik, duke u mburrur për miqësinë e tij me liderin kinez Xi Jiping. Në të njëjtën kohë, Trump akuzonte Xi Jiping, Vladimir Putin e Kim Jong Un për komplot kundër SHBA-së, ndërsa Pekini mblidhte fuqitë antiamerikane dhe shtete të tjera për të dëshmuar forcën ushtarake.

Një fuqi, ajo e shfaqur në sheshin “Tienanmen”, që mund të shërbejë për të tmerruar Tajvanin e vogël, por që nuk mund t’i vijë në ndihmë pasuesit të Hugo Çavezit. Goditja e karteleve ndërkombëtare të narkotikëve dhe largimi i Maduros nga pushteti mund të jetë sinjali i parë për të konfirmuar se rendi botëror nuk ka ndryshuar. Ai ka një udhëheqës në Uashington.