Diella, “ministra” e para robot në historinë e globit është bërë e famshme ende pa bërë asnjë punë. Të gjitha mediat prestigjioze të botës kanë shkruar rreth saj dhe eksperimentit të Edi Ramës për të bërë betejë me korrupsionin në tendera përmes një roboti, pa ndërgjegje, pa miq, pa shokë dhe pa interesa materiale.
Opozita ka shprehur kundërshtinë e fortë ndaj pranisë së këtij ministri në kabinet, që simbolikisht u dekretua edhe nga presidenti Begaj.
Ne nuk e dimë ende se cili do jetë efekti i Diellës në betejën kundër korrupsionit në tendera, por jemi përballë një përpjekje shkencore kundër korrupsionit, i cili është dhe problemi më i madh i qeverisë Rama në mandatin e tij të katërt.
Po sikur dhe opozita të shpikëte një robot për të luftuar plagën e saj më të madhe, mungesën e garës dhe mungesën e debatit brenda opozitës që po i lë përjetësisht në opozitë?
Nëse do të bënim këtë eksperiment, pra nëse në kryesinë e PD do të fusnim një robot si Diella, efekti më i madh nuk do ishin qëndrimet e saj kritike ndaj Berishës, ndaj dominimit të tij antistatut dhe mungesës së demokracisë.
Tërmeti që do shkaktonte Diella në PD do të ishte rikthimi tek logjika.
Prej fillimit të saj e deri më sot, në Partinë Demokratike ka pasur një betejë historike të vazhdueshme dhe të pandërprerë kundër logjikës. Asaj i është shpallur luftë si armikut të brendshëm. Njerëzit që përpiqen të japin shpjegime logjike për ngjarjet, apo që përpiqen të përdorin logjikën kur marrin një detyrë politike, janë të destinuar të zhduken nga PD.
Roboti që ka krijuar Berisha për 35 vjet në PD, ekziston dhe është më i sofistikuar se Diella. Ai është i vetmi robot në botë që nuk përdor logjikën kur flet, por përsërit gjërat pa logjikë që i thonë. Ky robot në vite të ndryshme ka pasur emra të ndryshëm.
Roboti më i famshëm ka qenë me emrin Tritan qysh në vitet 90, kur u ndëshkua Eduard Selami se filloi të përdorte logjikën pas humbjes së referendumit. Atëherë u shpik Roboti Tritan që e asgjësoi.
Në vitin 1997, rreth 12 ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të PD po ashtu tentuan të përdornin logjikën dhe t’i bënin thirrje Berishës të dorëhiqet pas skandalit të firmave piramidale. Atëherë Berisha prodhoi disa robotë kundër tyre, mes të cilëve shqunate Roboti Vili, etj.
Pastaj kështu me radhë vit pas viti, çdo kush që tentonte të mendonte dhe të përdorte logjikën, i gjendej një robot që e eliminonte.
Në fund pas 35 vitesh, shefi i gjithë këtyre robotëve, që kanë vrarë logjikën në PD, Sali Berisha është gjallë, dhe është përfshirë në një betejë të egër të pamëshirshme tani më me një robot që përdor logjikën.
Kjo është e kundërta e betejës së tij të përjetshme. Gjatë gjithë jetës ai ka shpikur njerëz-robot kundër logjikës, kurse tani Edi Rama ka shpikur një robot me logjikë kundër njerëzve pa logjikë në politikë.
Kjo është shumë dëshpëruese për Berishën dhe i heq atij poshtë gjithë investimin e jetës, gjithë filozofinë e politikës së tij dhe gjithë arsyen përse ai mbijeton si udhëheqës në një turmë pa tru.
Ai është i pari që i ka shpallur luftë logjikës dhe ia ka dalë, dhe shpikja e një roboti që rikthen logjikën në politikë është një tërmet për të.
Mendo tani që në mbledhje të kryesisë dikush të pyesë robotin: “A duhet të japë dorëheqje Berisha pas humbjes në zgjedhje?” dhe ajo t’i lexojë nenin Basha.
Mendo pastaj sikur Flamuri t’i kërkojë t’i thotë se ç’mendon populli për të, dhe ajo t’i thotë që je idiot.
Drama që mund të shkaktojë një robot i tillë në selinë e SHQUP është shumë herë më e madhe se çdo dramë tjetër në politikën shqiptare, pasi është drama e përballjes së një partie që ka hequr dorë nga logjika me një robot që tenton të flasë me logjikë dhe fakte për çdo pyetje që i bëhet.
Kjo është si të futësh në PD një armë biologjike të shfarosjes në masë. Aty nuk mbetet asnjë njeri, pasi ata janë aty pikërisht se kanë bërë kompromis të mos thonë më gjëra logjike dhe mbi të gjitha të mos mendojnë më për asgjë, pasi këtë detyrë ia kanë caktuar Berishës.
Ndaj Diella aty është më e urryer se qeveria dhe vetë Edi Rama. Se ata bëjnë ndonjë lëshim, u japin ndonjë lek dhe u shkelin syrin. Diella nuk i di këto marifete./TEMA