Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim zyrtar në Varshavë me homologun e tij polak, Władysław Kosiniak-Kamysz, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

Në deklaratën pas takimit, ministri Vengu vlerësoi eksperiencën polake si një model të suksesshëm ku anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka ecur paralelisht me investimet e qëndrueshme në mbrojtje dhe në industrinë ushtarake.

“Një mësim i vyer që na nxit për më shumë bashkëpunim me Poloninë, një aleat i qëndrueshëm i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE,” deklaroi Vengu.

Dy ministrat ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në dy drejtime kryesore: fuqizimi i kapitalit njerëzor në forcat e armatosura dhe rritja e kapaciteteve prodhuese ushtarake.

Ministri shqiptar shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë, duke e cilësuar si një partner të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore.