Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas publikimeve në disa media online, duke i quajtur keqinformim pretendimet se Shqipëria apo shqiptarët janë përmendur në fjalimin e ministres së Jashtme të Ekuadorit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas deklaratës zyrtare, bëhet fjalë për një “fakt tërësisht të sajuar, pa asnjë vërtetësi”, duke theksuar se emri i Shqipërisë apo i shqiptarëve nuk përmendet askund në fjalën e ministres së Ekuadorit, e cila është publike dhe e aksesueshme në faqen zyrtare të OKB-së.

“Fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare, duke sajuar fakte të paqëna për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare,” thuhet në reagim.

Ministria ka bërë thirrje për përgjegjshmëri në raportimin e lajmeve që prekin interesin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.