Reperi i njohur Mozzik, i shoqëruar nga avokati i tij Arianit Koci, është paraqitur sërish sot në Administratën Tatimore të Kosovës, lidhur me blerjen e dy orave luksoze, një “Richard Mille” dhe një “Rolex”, që kapin vlerën mbi 1.3 milionë euro.

Në një prononcim për GazetaDemos, Mozzik sqaroi se ndalimi i tij nga Dogana e Kosovës ishte vetëm një kontroll rutinë.

“Kur kam ardhur ka qenë një kontroll rutinë, krejt normal. E shfrytëzoj rastin me falenderu Doganën e Kosovës për sjelljen e mirë. Ishte thjesht një kontroll rutinë, asgjë më shumë,” tha ai.

Avokati i tij theksoi se, si rezident në Zvicër, Mozzik nuk ka detyrim të paguajë Doganë në Kosovë. “Ka paqartësi në ligj. Ky jeton në Zvicër dhe sipas nesh nuk ka logjikë të paguajë Doganë për një orë të blerë atje nëse qëndron përkohësisht në Kosovë,” deklaroi Koci.

Megjithatë, duke dalë nga shpjegimet ligjore, Mozzik pati edhe një përgjigje për Noizyn, i cili më herët kishte ironizuar se ora nuk ishte origjinale.

“Hajde, thuj le të na ndihmojë te nxjerri. Hajde mor burrë, ndihmona. Komuniteti i artistave le të më përkrahë, edhe unë jam artist,” u shpreh reperi.

Kujtojmë se Noizy publikoi disa shkrime në InstaStory, ku ironizonte “kolegun” e tij, Mozzik. Në një prej postimeve, Noizy la të kuptohet se ora luksoze e Mozzik nuk është origjinale por imitim kinez.

Ngjarja ka zgjuar reagime të shumta në rrjet, ku përveç çështjes ligjore, po komentohet edhe “përplasja” mes dy artistëve të njohur të skenës muzikore shqiptare.