NATO ka nisur një operacion të ri për të përforcuar mbrojtjen në krahun lindor të Evropës, pas një incidenti serioz këtë javë, ku një dron rus depërtoi në hapësirën ajrore të Polonisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se operacioni i koduar “Roja Lindore” (Eastern Sentry) do të fillojë brenda pak ditësh dhe do të përfshijë asete ushtarake nga disa vende anëtare, përfshirë Danimarkën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe të tjera.

“Inkursioni ajror i së mërkurës ishte i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Nuk ishte një rast i izoluar. ‘Roja Lindore’ do të shtojë fleksibilitetin dhe forcën tonë në terren, dhe do të dërgojë një mesazh të qartë: NATO është gjithmonë e gatshme të mbrohet,” deklaroi Rutte.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, theksoi se operacioni do të jetë “fleksibël dhe i shpejtë”, me kapacitete të zgjeruara ajrore dhe tokësore, mbrojtje të integruar dhe shkëmbim të shtuar të inteligjencës mes partnerëve.

Sipas NATO-s, ndër asetet e përfshira janë:

2 avionë F-16 dhe një fregatë kundërajrore nga Danimarka,
3 avionë luftarakë Rafale nga Franca,
4 Eurofighter nga Gjermania.

Fokusi kryesor do të jetë në territorin e Polonisë, por NATO thekson se situata tejkalon kufijtë kombëtarë.

“Ajo që prek një aleat, na prek të gjithëve”, theksoi Grynkewich.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake publikoi pamje të një avioni francez A400 që transportoi armë për avionët Rafale në aeroportin Minsk Mazowiecki, duke konfirmuar se asetet janë tashmë në vend.

Polonia e ka cilësuar incidentin si një ndërhyrje të qëllimshme, ndërsa Rusia ka minimizuar ngjarjen. Sipas autoriteteve polake, ky është rasti më serioz i këtij lloji që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.