Në kuadër të Ditës së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Ambasada e SHBA në Tiranë organizoi një aktivitet të posaçëm për të promovuar vlerat themelore të demokracisë amerikane, me fokus të veçantë në lirinë e shprehjes dhe rolin e shtypit të lirë.
“Është Dita e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e themeluar nga Kongresi në vitin 1956 për të nxitur të gjithë amerikanët të mësojnë më shumë rreth Kushtetutës së tyre!”, shkruan ambasada në një postim në rrjetet sociale.
Në prag të kësaj dite, përfaqësia diplomatike amerikane zhvilloi një diskutim me gazetarë shqiptarë dhe reporteren politike amerikane, fituese të çmimit Emmy, Lori Geary. Tema kryesore ishte e drejta kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe rëndësia e një shtypi të lirë dhe të pavarur në një shoqëri demokratike.
“Ju jeni sytë dhe veshët e popullit,” u tha Geary gazetarëve, duke theksuar përgjegjësinë që ka media për të vënë qeverinë përballë llogaridhënies ndaj qytetarëve.