Vera iku, shumica me pushime duke i dëgjuar kafeneve në plazh e në rrugë, madje deri te punëtorët e nderuar që suvatonin pallatet, presim shtatorin, thua se do ndodhë apokalipsi në këtë shtator. Përgjatë sezonit më të bukur dhe më të vështirë, sezonit veror, ku popullsia disafishohet, automjetet po ashtu, e bashkë me to rritet edhe rreziku për më shumë ngjarje kriminale, prishje të rendit e qetësisë, ngjarje rrugore e zjarret që për fat të keq këtë vit shkaktuan dëme të rënda në pronën e qytetarëve, por edhe rrezikuan jetën e tyre, jetën e punonjësve të policisë, zjarrfikësve, emergjencave civile, ushtrisë e banorëve në tërësi.
Përgjatë sezonit, me rendin e sigurinë, me krimet e aksidentet rrugore, me zjarret, krimet mjedisore e hapësirat publike, kush e mbajti peshën dhe koston e këtyre? Pa asnjë diskutim vetëm Policia, shpesh pa të drejtë si gjithmonë.
8 mujori i 2025-ës falë planizimit më të mirë këtë vit të burimeve njerëzore, solli si rezultat 3 vrasje më pak, krahasuar me sezonin 2024 (25–2025; 28–2024). Pamë operacione të mirëfillta policore në disa qarqe të vendit, Tiranë, Durrës e Vlorë, duke vënë në pranga njerëz të rrezikshëm dhe të rëndësishëm të krimit që vite me radhë prekeshin nga ligji, një trupë operacionale shumë më e organizuar dhe më e vendosur për të goditur krimin.
Zbardhje të ngjarjeve kriminale të vjetra, por edhe të atyre që kanë ndodhur këtë vit, ndërhyrje në kohë të Policisë me profesionalizëm për parandalime të ngjarjeve kriminale, rreth 250 armë të sekuestruara, e qindra mijëra bimë kanabis të asgjësuara, dhjetra goditje në fushën e shpërndarjes së drogës, kontrabandës, falsifikimit, korrupsionit e krimeve kibernetike.
Zjarret, një barrë tjetër e Policisë së Shtetit, e cila nuk iku në drejtim të paditur, por procedoi e arrestoi 168 autorë të zjarrvënies, ndihmoi banorët për t’i shpëtuar nga flakët, ku shumë punonjës policie rrezikuan jetën, duke përmendur njërin prej tyre, Komisarin Agim Troci.
Ndotja akustike, një shqetësim i përhershëm, që për hir të së vërtetës ndoshta duhet një ligj tjetër e koordinim më i mirë, s’mund të rrinë policët roje të derës e lokaleve, e ndonjëherë edhe duke abuzuar vetë punonjësit e policisë, pasi ky ligj i lë vetëm policinë përgjegjëse, padyshim duke sjellë shpërdorim të detyrës.
Hapësira publike e krimet mjedisore, në fokus gjatë muajit gusht e në vijim, sollën goditje për Policinë dhe institucionet përgjegjëse (IMT, IKMT, etj). Pavarësisht se policia i kishte referuar rastet, përsëri drejtues të saj u penalizuan, me të drejtë a pa të drejtë, le ta zgjidhë drejtësia. Qytetarët duan hapësirën që u takon dhe duan një polici që zbaton ligjin në çdo moment.
Shtimi i automjeteve solli rritje të aksidenteve me pasojë, por edhe përgjatë këtij viti, siguria rrugore lë për të dëshiruar, rreth 40 viktima më shumë se 8-mujori i 2024-ës, dhe kjo është shumë alarmante.
Drejtori i Përgjithshëm Proda, krahas punës dhe drejtimit me guxim e profesionalizëm që po i bën Policisë, duhet të vërë dorë sa më parë: siguria rrugore është shumë e rëndësishme, rruga përdoret nga të gjithë dhe është detyrë e të gjithëve të kontribuojmë për të parandaluar aksidentet.
Gjobat e larta, por me hile, jo nga Policia por nga ligjvënësit, duke u dhënë mundësi të paguhen me 50% zbritje, është një nga faktorët kryesor që po cenohet siguria rrugore dhe nuk ndërgjegjësohen shkelësit e kodit rrugor. Policia e Shtetit duhet të iniciojë sa më parë ndryshime në Kodin Rrugor, pasi edhe vetë punonjësit e Policisë, duke kaluar në vija të bardha, janë bërë pre e shkelësve të ligjit duke rrezikuar jetën.
Miliona turistë lëvizin të sigurt natë e ditë në gjithë Shqipërinë, dhe kjo falë punës së Policisë por edhe qytetarisë e mikpritjes shqiptare. Policia ka treguar se di të menaxhojë mirë aktivitet masive, ndërkombëtare, por nga ana tjetër tregon humanizimin e vetë: vetëm këtë sezon ka shpëtuar e ndihmuar mbi 1000 turistë e pushues vendas e të huaj, në det e në mal, duke kontribuar mjaftueshëm në rritjen e imazhit të vendit dhe duke përcjellë mesazhin e qartë se Shqipëria është e sigurt për vizitorët.
Rinasi është kthyer në pistë ekstradimesh, nga jashtë brenda dhe brenda jashtë, si asnjëherë më parë. Qindra persona me rrezikshmëri janë kapur brenda dhe jashtë vendit, deri në Dubain e paprekshëm, strehë e sigurt për trafikantë e kriminelë. Por besimi që krijoi Presidenti i Interpolit dhe lidershipi i ri i Policisë së Shtetit gjatë një takimi kokë më kokë me Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, në Athinë, dhe siguria që Ilir Proda i dha Presidentit, solli këtë rezultat ku asnjë cep i botës nuk është më strehë e sigurt për kriminelët dhe trafikantët.
Policia e Ilir Prodës, siç e etiketojnë në media, s’priti as shtatorin e s’pret as ndonjë muaj tjetër, por me angazhim, përkushtim, profesionalizëm e humanizëm solli rezultate shumë më të mira se çdo vit më parë dhe vijon çdo ditë punën për t’ju shërbyer qytetarëve dhe ligjit. Drejtori i Përgjithshëm Proda ishte dhe është në detyrë, dhe jo me pushime në Maldive apo në ndonjë vend tjetër siç jemi mësuar të shikojmë, por në detyrë në zyrë dhe në terren për të inkurajuar, mbështetur e vlerësuar njerëzit që kontribuojnë, rrezikojnë e sakrifikojnë nga vetja për të mirën e përgjithshme.
Policia e Shtetit meriton edhe ta lavdërojmë, edhe t’i nxjerrim në pah punët e mira, përkushtimin e angazhimin, të vlerësojmë realisht situatat dhe ngarkesat që ajo ka në përmbushje të misionit të saj, por të dëgjojmë edhe partnerët, mendimin dhe vlerësimin e tyre.
Ky vit, duke parë orientimin e Policisë së Shtetit në dy shtylla kryesore, marrëdhëniet me qytetarët dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese të cilat konfirmuan me zë e figurë se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është më i miri në Ballkan dhe Evropë, i cili duhet bërë shembull edhe për Policitë e tjera.
Tashmë jemi përballë një sfide: siguria e nxënësve dhe e fëmijëve tanë.
Një kërkesë publike për Drejtor Prodën: siç vlerësove me përkushtim e profesionalizëm rastin më fatkeq të shkollës Fan Noli, të lutem, siguria e fëmijëve është primarja, prioritet mbi prioritete.
Nuk është përgjegjësi vetëm e Policisë që drejton, por nismat e propozimet që iniciove pas ngjarjes të thellohen më tej, me veprime më konkrete, marrje përgjegjësie e dhënie llogarie nga çdo institucion që ka për detyrë të garantojë sigurinë e nxënësve.
Policia e Shtetit është e jona. Jo se është shembullore se ka dhe për të kritikuar e përmirësuar shumë gjëra, por në tërësinë e saj është siguria jonë.
Policia duhet mbështetur akoma më shumë nga qytetarët, gazetarët, intelektualët, shoqëria civile, por mbi të gjitha nga qeveria e re, me logjistikë e paga më të mira për punonjësit e Policisë. Punë të mbarë: sa më shumë siguri e humanizëm, kulturë e përgjegjshmëri në shërbim të qytetarëve, si modeli i Klajdi Mustës!