Trembëdhjetë vjet pasi la postin, ai është gati të bëhet presidenti i parë francez që dënohet me burg, pasi u shpall fajtor për komplot kriminal dhe mori një dënim prej pesë vjetësh.
Rrethanat janë po aq të ndezura dhe përçarëse sa dikur, kur çdo hap i tij shoqërohej me polemika.
Pas shpalljes së dënimit në gjyqin për “paratë libiane” të enjten, ai foli me zemërim të skajshëm për “urrejtjen e pafundme” prej së cilës, sipas tij, vazhdon të jetë viktimë.
Që kur doli në skenë si një figurë e fuqishme e së djathtës, Sarkozy ka qenë i bindur se është shënjestruar nga një rrjet i majtë brenda drejtësisë dhe medias franceze.
Dhe me këtë dënim sipas tij është prodhuar një tjetër provë e pakundërshtueshme për këtë.
Përkrahësit e tij pyesin: përse gjykata e shpalli të pafajshëm për tre nga katër akuzat që rëndonin mbi të financim i paligjshëm i partisë, përvetësim fondesh libiane dhe korrupsion?
Pse u dënua vetëm për akuzën e fundit – atë “të përgjithshme” për “shoqëri kriminale” (një akuzë që shpesh u bëhet grupeve të drogës kur mungojnë prova të tjera konkrete)?
Dhe pse duke qenë se e shpalli fajtor vetëm për këtë vepër më të lehtë – gjykata vendosi një dënim kaq të rëndë dhe poshtërues? Jo vetëm që dënoi me burg një burrë 70-vjeçar, por edhe për një ngjarje të ndodhur 20 vjet më parë.
Për më tepër, gjykata përcaktoi që dënimi nuk ishte “pezullues” pra, Sarkozy do të shkojë në burg edhe nëse apelon, ndonëse sipas ligjit francez ai konsiderohet ende i pafajshëm deri në përfundimin e procesit të apelit.
Atëherë kur dukej se pasionet e vjetra pro dhe kundër tij kishin filluar të zbehen, ato janë rikthyer me forcë.
Shumëkush mund të ndiejë një farë simpatie për Sarkozy jo se domosdoshmërisht është i pafajshëm në lidhje me kërkimin e fondeve elektorale nga Libia por sepse ndoshta ka një grimë të vërtete në pretendimet e tij për viktimizim: që brenda sistemit politik, mediatik dhe gjyqësor të Parisit ekzistojnë individë që e urrejnë ish-presidentin dhe gëzohen duke e parë të rrëzohet.
Por, nga një këndvështrim tjetër, Sarkozy nuk është një ish-kryetar shteti i persekutuar, por një figurë politike e fuqishme dhe egoiste që gjithmonë ka shtyrë ligjin në kufijtë e vet për të arritur qëllimet.
Përndryshe, përse do të kishte kaq shumë çështje gjyqësore kundër tij? Përse është dënuar tashmë për dy vepra të tjera korruptive njëra për përpjekje për të ndikuar një gjyqtar, dhe tjetra për financim të paligjshëm fushate?
Dhe nëse gjykata vendosi tani të jetë më e ashpër në çështjen e Libisë, ndoshta është sepse akuza për marrje fondesh elektorale nga një diktator i huaj është realisht shumë e rëndë.
Kjo çështje mbetet aktuale, sepse ndonëse Sarkozy nuk ka më ndikimin e dikurshëm, debati që ajo ka nxitur jehon në rrënojat e politikës franceze.
E djathta dhe e djathta ekstreme e mbrojnë dhe e paraqesin si viktimë të drejtësisë së majtë. Marine Le Pen e cila vetë u përjashtua nga gara presidenciale këtë vit për shkak të një dënimi me klauzolë “pa pezullim” ishte e para që denoncoi këtë “padrejtësi”.
Ndërsa e majta e sheh si një tjetër shembull të privilegjeve të të pasurve – të fuqishmit që bëhen edhe më të fuqishëm duke injoruar ligjin pa ndëshkim.
Nicolas Sarkozy ka kohë që ka lënë postin, dhe nuk ka gjasa të rikthehet. Ai është një figurë e së shkuarës. Por çështja e tij nxjerr në pah ndarjet e thella të një vendi tashmë të përçarë./BBC