Nga Edona Bilali/

Kur njerëzimi shpiku rrotën fillimisht si shabllon për enët e baltës dhe 300 vite më vonë për transport pati nga ata që thanë: “Ç’na duhet kjo, ne kemi këmbët.” Pavarësisht se në literaturë shpikja e rrotës nuk ka autorësi për një gjë dakordësohemi në parim të gjithë: bota pas kësaj shpikje nuk u kthye më kurrë mbrapsht.

Kur Thomas Edison masivizoi përdorimin e llambës elektrike në shtëpi (nuk ishte i pari, por ishte më i suksesshmi në komercializim) kishte zëra që paralajmëronin fundin e natës “natyrale” sepse shumica e njerëzve duan dhe pranojnë të njohurën, atë që mund të shpjegojnë dhe ndaj pati nga ata që i frikësoheshin dritës, jo errësirës.

Dhe kur kompjuteri doli nga ‘garazhdet’ dhe hyri në zyra e pastaj në shtëpi, u mendua se do na bënin dembelë, madje të panevojshëm. ‘Do të zëvendësohemi me kompjuter’ thonin disa, por ja ku jemi duke i bërë komjuterët të punojnë për ne.

Sot jemi përballë një tjetër “rrote”: Inteligjenca Artificiale. Jo një modë kalimtare, as një përparim teknologjik por një nga ‘inovacionet më të gjithanshme’ deri më sot. Pavarësisht se në literaturë ka ende një debat të hapur nëse inteligjenca artificiale konsiderohet e para sa i takon konceptit ‘breakthrough innovation’ autorët bien dakord që është më transformuesja e shekullit të 21-të. Inteligjenca artificiale ka mundësinë të transformojë sektorët kyçë si: shëndetësinë, edukimin, artin, mbrojtjen, financat, legjislacionin, bujqësinë por edhe qeverisjen, është një mjet që mund të përmirësojë mënyrën si mësojmë, kurohemi, ndërtojmë politika publike madje edhe se si i qasemi vetë mendimit kritik dhe etikës.

Pavarësisht zhvillimit të njerëzimit, e pa ndryshuar në kohë mbetet gjithmonë një kategori njerëzish që çdo përparim e përshëndesin me batutë tallëse, çdo risi e shoqërojnë me një meme, dhe çdo transformim e konsiderojnë kërcënim personal. Janë të njëjtët që, në epoka të ndryshme, kanë bërë humor me avionin para se të ngjiteshin vetë në të; që kanë parë librin si armik të kujtesës, makinën si fundin e ecjes dhe tani inteligjencën artificiale si fundin e mendimit. Janë spektatorë të zakonshëm të historisë: bëjnë zhurmë në nisje të trenit, por gjithmonë kapin vagonin e fundit — ose nuk arrijnë të hypin e mbesin në stacion.

Trenat nuk ndalen. Historia nuk kthehet mbrapsht. Pyetja nuk është nëse do të vijë Inteligjenca Artificiale tek ne, por nëse do të dimë ta udhëheqim me dije dhe maturi — apo thjesht do të rrimë në tastjerë, duke sharë makinistin.