Nga Roland Qafoku
(Një shkrim i botuar nw revistën “Newsbomb”, shtator 2023)
Është një lloj burgu numër 2 beteja që Fatos Nano po bën prej 29 gushtit në spitalin “Hygeia” në Tiranë. I futur në terapi intensive teksa dergjet në shtrat, me tuba dhe me maskë oksigjeni në fytyrë, politikani që arriti të fitojë betejën e parë pas 1560 ditëve qendrimi në qeli, tani i duhet të fitojë një betejë akoma më të vështirë: Atë me jetën. 3 herë kryeministër, 1 herë zëvendëskryeministër, 5 herë i zgjedhur deputet, 14 vjet kryetar i PS-së, 3 vjet, 6 muaj e 10 ditë qendrim në burg të padrejtë, bilanci i tij në politikë nuk i ngjan askujt në historinë e Shqipërisë moderne. E nëse periudhën nga viti 1991 deri në 2005 në Shqipërinë politike do ta quanim epokë, ajo mban emrin e një politikani: Fatos Nano.
I pari politikan me teserën e komunistit që u bë reformator, si fillim duke zëvendësuar kryeministrin e fundit të atij regjimi Adil Çarçani dhe më pas duke aplikuar ekonominë e tregut. I pari politikan që reformoi Partinë e Punës duke u zgjedhur kryetar i saj si pasardhës i Ramiz Alisë jo vetëm duke i ndryshuar emrin nga Partia e Punës së Shqipërisë në Partia Socialiste e Shqipërisë, por duke e strukturuar dhe drejtuar atë me koncept perëndimor demokratik, ndërkohë që anëtarësia dominohej nga koncepti i vjetër bolshevik e lindor. I pari politikan i kësaj partie që mbajti pa të drejtë peshën e përgjegjësisë për komunizmin duke u bërë i pari socialist që dënoi publikisht nomenklaturën komuniste dhe regjimin e Enver Hoxhës dhe duke ndryshuar edhe mentalitetin komunist në parti. I pari politikan që pagoi një çmim të lartë që duke qenë kryetar i opozitës socialiste të asaj kohe vuajti burgun si kundërshtar politik e konfirmuar kjo jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga autoritetet ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA.
I pari politikan që emancipoi politikën shqiptare duke e treguar këtë me shembullin vetjak. Takimi tij me Sali Berishën më 31 janar 2002 në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan tregonte se Nano jo vetëm nuk ishte hakmarrës për burgun që bëri, por kjo ndikoi në zbutjen e politikës aq të ashpër në Shqipëri.
I pari politikan që nëpërmjet lëvizjes për katharsis kërkoi pastrimin e partisë që drejtonte nga një sërë vesesh që po e gërryenin teksa ishte në pushtet.
I pari dhe i vetmi politikan demokrat njëkohësisht që vendosi demokraci të brendshme në Partinë Socialiste nëpërmjet zgjedhjes me votë në forume. I pari politikan liberal në një parti në të cilën kushdo fliste çfarë mendonte dhe mbi të gjitha mbledhjet e forumeve transmetoheshin live në çdo stacion televiziv.
I pari dhe i vetmi politikan që solli një frymë të re në politikë duke afruar dhe prodhuar figura të reja pa lidhje me komunizmin, me formim të mirë gjeneralist dhe arsimim perëndimor që u bënë edhe e ardhmja e politikës shqiptare.
Kryefigura që është produkt ekskluziv i prurjeve të Fatos Nano është Edi Rama, të cilin vërtetë e mori nga Parisi, por i dha edhe mundësinë e artë të rritej politikisht duke e emëruar ministër në kabinetin e tij dhe më pas duke e kandiduar për kryetar në Bashkinë e Tiranës. Por mbi të gjitha duke e lënë të lirë të bënte çtë donte në punët e tij.
BETEJA NË SPITALIN “HYGEIA”
Ishte më shumë se një alarm shëndetësor prezenca e Fatos Nanos mesditën e 29 gushtit në spitalin “Hygeia” në Tiranë. Gjendja e rëndë e frymëmarrjes alarmoi të gjithë stafin, veçanërisht mikun e tij dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, aktualisht drejtor i këtij spitali, Leonard Solis. Një kordinator maestro mes të gjithë stafit mjekësor, Solis është ai që ka bërë dhe bën të mundur që gjithçka të shkojë sa më mirë.
Të afërm të Fatos Nanos tregojnë për revistën “Newsbomb” se impenjimi i stafit mjekësor vijon të mbetet maksimal, por 5 ditët e para ishin jetike për të.
Mushkëria dhe mëlçia kishin probleme serioze dhe mjekët ishin përballë një gjendje ekstreme të rëndë. Fakti ishte se shëndeti i Nanos kishte dy armiq: Mbipeshën dhe konsumi i duhanit.
Prej 50 vjetësh Nanon ishte duhanpirës i rregullt dhe kjo kishte bërë që mushkëria të mos funksiononte mjaftueshëm. Duket sikur Fatos Nano ka ndjekur të njëjtin rregull në jetë si liderët e tjerë parardhës në politikën shqiptare.
Ahmet Zogu pinte 150 cigare në ditë, Enver Hoxha pinte 80 cigare në ditë, ndërsa Fatos Nano me 120 cigare në ditë i ka konkuruar denjësisht ata në kësi rekordesh. Atëherë kur mendohej edhe fataliteti dalëngadalë puna e mjekëve nisi të japë frutet. Të afërmit e tij shprehen se pacientin Nano e kanë ndihmuar edhe dy faktorë të tjerë. E para, zemra e tij është e fortë dhe e dyta kurajoja dhe vullneti i fortë.
Është i njëjti vullnet dhe kurajo e treguar prej tij si gjatë viteve të burgut në Bënçë që kurrë nuk u demoralizua dhe kurrë nuk u dorëzua. Në këtë pikë të afërmit mendojnë se edhe këtë herë kështu po ndodh.
Lajmi i mirë është se, duke përjashtuar ndonjë komplikacion të papritur, ai ka dalë nga rreziku për jetën.
Megjithatë rehabilitimi do të kërkojë shumë kohë dhe do të jetë mëse delikat. Familja e tij nuk është ndarë nga spitali këto ditë, por ka qenë prezent te koka e krevatit, sepse mjekët tregohen të rreptë për praninë e tyre në sallën e reanimacionit.
Si bashkëshortja Xhoana, por edhe fëmijët e tij me gruan e parë, Eda dhe Sokoli qendrojnë aty dhe janë prezent pothuajse non-stop. Prezent kanë qenë edhe tri motrat e tij Sashenka, Vjollca dhe Mimoza të ardhura nga Italia.
Të shumtë janë gjithashtu edhe miqtë dhe shokët. Sigurisht edhe politikanët e majtë dhe të djathtë, veçanërisht bashkëpunëtorët e dikurshëm.
Ndoshta gjendja e rëndë që kaloi bëri që kryeministri Edi Rama të nxitonte për t’i dhënë medaljen e mirënjohjes publike dhe më shumë se kjo ajo që ra në sy ishte fraza “lideri historik” i PS-së gjatë dedikimit publik që bëri. Një frazë që del nga goja e tij për herë të parë që nga koha kur e zëvendësoi në detyrën e kryetarit të PS-së.
NANO SI EMANCIPUES I POLITIKËS SHQIPTARE
Kur gjindja shqiptare vuante ende nga komunizmi, Fatos Nano gjeti një mënyrë për ta emancipuar atë. Teksa në 1990 regjimit po i shqepeshin tegelat, çuditërisht ai pranoi të bëhej sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me kryeministër Adil Çarçanin. Në 1991 po çuditërisht pranoi të ishte zëvendëskryeministër po i kryeministrit Çarçani. Më 22 shkurt 1991 çuditërisht gjithashtu pranoi të ishte kryeministri i parë pas rrëzimit të komunizmit. Dhe pas rrëzimit të qeverisë që drejtonte më 4 qershor 1991, 6 ditë më pas, çuditërisht pranoi të zgjidhej kryetar i Partisë Socialiste që ishte emri i ri i Partisë së Punës së Shqipërisë të sapondërruar. Sot duket si një turrje drejt pushtetit, por në ato vite të trazuara dhe të çoroditura vetëm një i çmendur mund të pranonte të niste karrierë në një parti që barte në kurriz mëkatet e 45 viteve dhe të merrte përsipër të gjitha përgjegjësitë. Djali i një njeriu dikur drejtor në RTSH dhe i të ëmës mësuese e gjuhëve të huaja, Fatos Nano ishte fëmija e një çifti me pozitë të mesme gjatë regjimit, por që vetë personalisht nuk kishte asnjë ngarkesë dhe përgjegjësi. Djaloshi me trup të shkurtër, por me IQ të lartë që në adoleshencë ra në sy si ekselent në mësime dhe talent për të mësuar gjuhë të huaja, por njëherësh çapkën në tip. U përjashtua nga shkolla në gjimnazin “Sami Frashëri”, por pas rikthimit askush nuk ia kalonte në mësime. Ishte si një sinjal për jetën që do e priste përpara: Do merrte disa goditje në jetë, por do kthehej po aq herë me triumf. Dhe rezultatet erdhën. U diplomua ekselent në ekonomi politike në Universitetin e Tiranës dhe spikati në njohjen e politikave evropiane dhe botërore të ekonomisë. Në vitin 1975 ai punoi si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan deri në 1978.
Pas kësaj përvoje u emërua si studiues i ekonomisë botërore në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, një punë që e ushtroi nga viti 1978 deri në 1981. Por sipas politikave të asaj kohe Nano ishte shumë i ri për të nisur një karrierë në qendër. Dhe në 1981 deri në 1984, ai punoi ekonomist në fshatin Priskë të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, Fatos Nano ishte edhe pedagog i jashtëm i ekonomisë politike në Universitetin e Tiranës dhe autor i disa librave shkencorë me ideologji komuniste.
Puna në Priskë ishte një internim i vogël në një fshat që ndonëse jo larg kryeqytetit, i duhej të jetonte atje dhe herë pas herë të vinte edhe në Tiranë. Por duket se instituti që la pas, kishte më shumë nevojë për aftësitë e tij në përkthime dhe jo vetëm, teksa e ktheu nga Priska sërish aty, këtë herë si studiues për problemet sociale ekonomike dhe i reformave të ekonomisë së tregut në Evropën Lindore.
Një punë që e vijoi deri në 1990. Por çfarë ishte kjo preferencë e këtij instituti ndaj Fatos Nanos kur dihej se në krye të tij ishte e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Në një intervistë që i kam marrë në 2013 zonja Hoxha e shpjegoi më mirë se kushdo startin e Fatos Nanos në politikë teksa tha:
“Fatos Nano nuk kishte vese gjatë kohës që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit. Ishte shumë korrekt, nuk vinte kurrë me vonesë, ishte inteligjent, njihte gjuhë të huaja dhe kishte vlerësimin tim maksimal. E shikoja si një kuadër me perspektivë” (Intervistë e gazetarit Roland Qafoku me Nexhmije Hoxhën gjatë përgatitjes së librit “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama”, 11 korrik 2013).
Dhe si me katapultë u ngrit në karrierë. Por a ishte koha e përshtatshme? Habia ishte që pikërisht këtë studiues të komunizmit, në 1990 e emëruan sekretar të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të qeverisë së Adil Çarçanit.
Në 1991 u emërua zëvendëskryeministër për reformat dhe habia e madhe ishte se me largimin e Çarçanit, në shkurt 1991 ai u emërua kryeministër. Ishte vetëm 38 vjeç, 8 muaj e 18 ditë dhe ustallarët kishin gjetur njeriun e përshtatshëm në kapërcyell të komunizmit me demokracinë. Dhe ai që e kishte rekomanduar ishte vetë Ramiz Alia.
“Po , unë e kam rekomanduar”, është shprehur Alia teksa ka komentuar Fatos Nanon. Në postin e kryeministrit Fatos Nano kishte detyrë organizimin e zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991. Por në këtë detyrë qendroi vetëm 3 muaj e 12 ditë, të mjaftueshme për të marrë mbi kurriz të gjitha mëkatet e 45 viteve të komunizmit. Vetëm gjashtë ditë më pas u mbajt kongresi i 10-të i PPSH-së. Këtë herë, rekomandimi, dëshira dhe habia u bënë bashkë: Fatos Nano u zgjodh kryetar i partisë. Dhe vendimi i parë i atij kongresi ishte ndërrimi i emrit të PPSH në PSSH. Kishte ndodhur një kataklizëm, aq sa një socialist tha:
“Vërtetë ne humbëm një kryeministër, por fituam një kryetar partie”.
Më pas gjithçka në karrierën politike i ngjan humnerave dhe maleve në një hartë reliev. Nuk kaloi shumë dhe u arrestua pa arsye. Pas 4 viteve në qeli nën drejtimin e tij, PS fitoi zgjedhjet dhe ai u bë kryeministër.
E mori për herë të dytë këtë detyrë më 25 korrik 1997 dhe qendroi deri më 28 shtator 1998, teksa u dorëhoq pas trazirave pas vrasjes së deputetit të PD-së Azem Hajdari. Ndërkaq, demokracia në Shqipërinë politike ka një kulm të saj me autor të vetëm Fatos Nanon. Ishte kongresi i Partisë Socialiste më 9 tetor 1999 dhe ai garoi për postin e kryetarit të partisë përballë Pandeli Majkos në atë moment kryeministër. Të gjithë bien dakord që ky është momenti më i rëndësishëm dhe kulmor i demokracisë së një partie në politikën shqiptare.
Nano mori 297 vota kundrejt Majkos që mori 261 vota. Pra, Nano fitoi me 36 vota diferencë. Ky rezultat nuk tregoi vetëm se ishin zgjedhje reale dhe të vërteta, porse një garë e tillë nuk kishte ndodhur më parë dhe as ka ndodhur deri tani, duke u bërë modeli më i mirë i një demokracie por edhe rregullsie në zgjedhjet në një parti. Dhe pavarësisht këtij triumfi Nano propozoi dhe bëri kryeministër Ilir Metën.
Ngjarjet rrodhën të tilla kur gjatë kësaj kohe drejtoi aksionin për katharsis në PS dhe kjo solli rrëzimin e qeverisë së Metës. Më 29 korrik 2002 Fatos Nano u bë kryeministër për herë të tretë dhe qendroi në këtë detyrë deri më 1 shtator 2005. Ishte ky momenti që pasi humbi zgjedhjet Fatos Nano bëri një akt publik që në nivelin e sotëm të politikës, mund të quhet deri heroizëm. Përse? Sepse pas humbjes në zgjedhje ai dha dorëheqjen edhe si kryetar i PS-së, por edhe u largua përfundimisht nga politika. Vetëm politikanë të mëdhenj e kuptojnë dhe largohen nga skena pa u bërë barrë për askënd. Ky ishte Fatos Nano.
BURGU I FATOS NANOS
Sot ngjan si një legjendë që vjen nga kohë të vjetra. Por në fakt ka ndodhur vetëm 30 vjet më parë. Më 30 korrik 1993, kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano u paraqit në zyrën e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm Fatos Dervishi, i thirrur me urdhër të tij. Por pas heqjes së imunitetit në kuvend, kjo thirrje ishte vetëm një grackë e trashë.
Sapo u fut në zyrë, Dervishi lexoi një urdhër arresti dhe vetëm në pak minuta polici pas derës shtrëngoi prangat në kyçet e Fatos Nanos. Akuza: Vjedhje shpërdorim të detyrës në favor të të tretëve.
Sipas prokurorit Dervishi, gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit, me fondin e ndihmave të qeverisë italiane Fatos Nano kishte shkelur procedurën e blerjes së mallrave ushqimorë. Në akt akuzë shkruhej se kompania italiane “Levante Company” ishte sjellë në vendin tonë për të kryer këto veprime nga biznesmeni Ajdin Sejdia, të cilin e kishin favorizuar Fatos Nano. Pas një sërë seancash në Gjykatën e Tiranës, në të cilat Nano shfaqej përherë me pranga në duar, më 3 prill 1994 një trup gjykues vendosi që të dënohej me 12 vjet burg. Pra sipas këtij vendimi, ai do të shihte dritën e lirisë në vitin 2005. Por shumica e opinionit e kuptonin qartë që ai ishte një i pafajshëm që rrinte në burg. Aq prekës u bë për publikun burgu i Nanos saqë fabulisti i njohur Ferit Lamaj nxori një perlë nga krijimtaria e vetë. Nëpërmjet vetëm katër vargjeve, të shoqëruara me një skicë ku shfaqej një kafaz me një kanarinë brenda dhe jashtë kafazit ndodhej një ujk, Lamaj shkroi:
Botë e egër,
Botë e lashtë.
Kë lë brenda
Dhe kë lë jashtë?!
Kuptohej qartë që për Lamajn kanarina ishte Fatos Nano dhe ujku ishte Sali Berisha. E gjithë ajo situatë dukej aq absurde saqë ishte një lëndim i madh jo vetëm për Fatos Nanon dhe për socialistët por edhe për masën e madhe të publikut. Dukej sikur Nano dhe ata që ishin pro tij ishin lënduar aq shumë saqë i ishin ankuar Zotit për këtë padrejtësi. Dhe me atë që ndodhi në mars të vitit 1997-ën në Shqipëri, dukej sikur Zoti i dëgjoi. Më 13 mars ai doli nga burgu si një i dënuar politik. Dhe pas kësaj historie, ka nevojë për një pshehrëtimë. Vërtetë komunizmi kishte disa vjet që ishte rrëzuar, por politika vijonte të ndiqte rregullin se në Shqipëri ajo nuk ishte thjeshtë një baltovinë, por një çerdhe nepërkash. Viktima e madhe ishte Fatos Nano.
LIGJËRIMI POLITIK I FATOS NANOS
Askush si Fatos Nano nuk dinte të kalibronte të folurën në publik dhe jo vetëm. Falë bagazhit të fjalorit, formimit gjeneral dhe njohjes së gjuhëve të huaja, ne sot kemi si “dhuratë” një pirg me fraza, deklarata që jo vetëm në memorien e politikës, por edhe të atyre që duan ta kenë fushë studimi. Ishte në burgun e Bënçës kur Fatos Nano përpiqej ta reformonte këtë parti herë me letra të dërguara me postë dhe herë me letra të dërguara me korrier Pandeli Majkon. Më 6 korrik 1996 Nano shfytëzoi një intervistë me Mero Bazen në “Zerin e Amerikës” teksa bëri një përcaktim epik për Partinë Socialiste. Tha Fatos Nano:
“Partia Socialiste është një qyp me flori, ku duhet të gërmosh disa guralecë për të gjetur përmbajtjen reale të këtij qypi”. (Baze Mero, intervistë në burgun e Bënçës me kryetarin e PS Fatos Nano, radio Zeri i Amerikës, 6 korrik 1996, Bënçë, Tepelenë).
Ishte fushata e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1997 kur gjatë mitingut në qytetin e Vlorës Nano lëshoi një premtim që u perceptua gabim, por u mor sikur premtoi kthimin 100 për qind të parave. Tha Nano:
“PS angazhohet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe të sigurojë burime të posaçme për kthimin dhe kompesimin e parave të humbura në firmat e shpallur atë falimentuara”. (Fitorja merr udhë në Vlorë, Fjala përshëndetëse e kryetarit të PS Fatos Nano në Vlorë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlemantare, gazeta “Zeri i Popullit”, 10 qershor 1997)
Një nga aktet politike më të denja dhe më vizionare të Fatos Nano ishte momenti kur mori mandatin si kryeministër. Gjatë fjalës në parlament ai përfshiu në kabinet disa politikanë që ishin pjesëtarë të partive të tjera, pa u diktuar nga votat e tyre. Por Nano mendoi më shumë për shtetin se sa për pushtetin që sapo e kishte marrë. Tha Nano:
“Të japim pushtet, për të bërë shtet”. (Fjala e kryeministrit në shtator 1997 gjatë paraqitejs së programit të qeverisë në kuvend)
Një nga momentet më të rëndësishme por edhe më delikate të Fatos Nanos ka qenë pas vrasjes së Azem Hajdarit më 12 shtator 1998. Dy ditë më pas turmat e drejtuar nga liderët e PD kryen një kryengritje të armatosur duke sulmuar të gjitha institucionet qeveritare. Ndodhur në këtë situatë Nano u largua për në Maqedoni duke lënë pas jo vetëm karrigen bosh të kryeministrit por edhe pikëpyetje të mëdha. Dhe përgjigja e tij ishte:
“Më 14 shtator 1998 kërkohej koka ime. Kishte një javë që sulmohej shtëpia ime dhe familjarët e mi kanë dalë aty vetëm dy minuta pas shpërthimit të granatave”. (Gjatë konferencës për shtyp në kryeministri, 18 shtator 1998)
Vendosja e gishtit në plagën e qeverisë socialiste ka qenë një nga cilësitë ekskluzive të Fatos Nanos. Tha Fatos Nano pas largimit nga detyra e kryeministrit:
“Nga ajo përvojë që kalova si kryetar qeverie dua të them se me delirin për pushtet ne filluam të sillemi si qeveri më vete në dikastere të ndryshme”. (Intervistë më 13 mars 1999)
Aksioni tij politik për katharsis në PS mbetet padyshim më interesanti. Akuzat e tij për bashkëpunëtorët e vet dhe për qeverinë ende jehojnë në opinionin publik. Tha Fatos Nnao gjatë një fjalimi:
“Fatos Nano nuk ka asnjë pakënaqësi personale për anashkalim apo neglizhim nga ana e shokëve që na përfaqësojnë në qeveri. E përsëris, që do të kishte qenë shumë më komode për mua që të mos ishte bërë ky gjyqi i radhës që na harxhoi energji, nerva dhe gjëra të tjera. Dhe, aq më pak kam interesa ilegjitime amorale dhe parimore. I thashë Finos në Berat, shoku Ilir, ku u ngrit ajo gruaja e shkëlqyer militante, që nuk deshte as bukë, as ujë, as drita, përveç se ne të shkonim mirë me njëri–tjetrin dhe, unë i them Bashkimit: O Bashkim, unë s’dua “Shpellën e Pëllumbave”, dua Anastasin, por Iliri s’ma jep. Dua të kthej Anastasin në njeriun e mirë, mik dhe shok që jemi rritur bashkë”. (Dhjetor 2001, gjatë turit për katharsis)
Por Berisha vijonte të mbetet armiku numër 1 politik i Nanos. Në një fjalim gjatë mandatit të tretë të Nanos tha:
“Berisha edhe pas 6 vitesh vazhdon të bëjë avokatin e skemave piramidale. Por në rastin e skemave piramidale, besoj dhe gjykoj që kërkesa dhe guximi i opozitës është tejkalim i së drejtës, madje inversion i saj, pasi zgjedhësit shqiptare, në mënyrë plebishitare, e kanë dhënë gjykimin e tyre që në qershorin e vitit 1997, duke e larguar nga pushteti regjimin e zotit Berisha”. (Fatos Nano, kryeministër, viti 2003)
Dhe Nano po e kuptonte se fakti që konflikti politik me Sali Berishën kishte efekt te zgjedhësit, ai kishte nevojë për Berishën me të cilin kishte vite që bënte betejë metaforike. Tha Nano në një seancë parlementare:
“Pasuria ime më e madhe, më e çmuar dhe e hipotekuar në sytë e të gjithëve, është Sali Berisha”. (Gjatë fjalës në Parlament 12 mars 2004)
Por Ilir Meta dhe Pandeli Majko nuk ishin të vetmit miq dhe armiq të Fatos Nanos në PS. Edi Rama nuk kishte statusin e atij që rrinte dhe vështronte. Pas largimit nga politika, Nano zbuloi një fakt që habiti publikun.
“Rama sabotoi PS-në në zgjedhjet e 2 korrikut 2005”. (Intervistë 2015)
Fjalimi i fundit zyrtar publik i Fatos Nanos gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit dhe kryetarit të PS ka qenë më 13 dhjetor 2003 në Kongresin e 6-të të PS. Sot ka më shumë mesazhe ai fjalim. Por një paragraf vlen më shumë. Tha Fatos Nano:
“Fatos Nano nuk ka saraje. Nuk ka vila me leje apo pa leje, nuk ka dhe as zotëron apo influencon media, televizione, Gazeta e çfarë nuk tjetër. Ndaj furtuna e dëshpëruar kundër meje, e paparë ndonjëherë në këtë vend ndaj një lideri politik përmban në vetëvete paradoksin e saj më të arrirë se kurrë. Të gjithë kundër zogut vetitar sepse ka bërë krimin që e çoi tufën e lirë të zogjve drejt qiejve dhe hapësirave të lira dhe pambarim. E ndaj më vjen ndër mend ajo fjalë e mençur dhe e arrirë e të madhit filozof anglez Francis Bacon-,qendroj aq lart sa e keqja nuk më arrin as thembrat”. (Fjala e Fatos Nanos, Kongresi i 6-të i PSSH-së, 13 dhjetor 2003, faqe 11-12.)
FATOS NANO, SA SHUMË MIQ DHE ARMIQ
E kush e njohu dhe bashkëpunoi me Fatos Nanon dhe nuk provoi edhe miqësinë por edhe armiqësinë njëkohësisht. Sigurisht, jo vetëm për fajin e tij. Me Sali Berishën betejat i kishte si të personazheve heronj të Homerit. Dyshja Nano-Berisha ktheu pas më shumë se gjysmë shekulli memorien e shtetit tamam si betejat e dyshes Ahmet Zogu me Fan Nolit. Ishin më të shumta rastet kur Nano kishte të drejtë ndaj Berishës. Burgu i padrejtë rëndonte si çekan mbi Berishën dhe ndonëse nuk e ka shprehur, besohet se atë e ka shoqëruar përherë pendesa. Por mëkatet e Berishës ndaj Nanos nuk mbarojnë vetëm te burgu. Sulmet e tij kanë qenë të pandërprera dhe shpesh të pajustifikuara. Kështu, vetëm pas pak orësh nga vrasja e Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998, Sali Berisha lëshoi deklaratën e parë publike: Azemin e vrau Nano dhe Sllobodani. Sot kjo deklaratë tregon se sa e zezë është politika jonë dhe nuk kursen asgjë përballë përfitimit të pushtetit. Megjithatë nuk mund ta përjashtosh Sali Berishën nga disa momente që kishte të drejtë kur akuzonte Fatos Nanon për mënyrën se si qeveriste, veçanërisht në mandatin e tretë.
Me Ilir Metën betejat e Fatos Nanos kanë qenë shumë interesante. Miq dhe armiq, Nano dhe Meta bënë atë që solli ndarjen e PS-së në vitin 2004 dhe për herë të parë kjo parti provoi skizmën e madhe që solli në skenë LSI, një faktor që ndikoi dhe diktoi largimin e Nanos si kryeministër, por edhe nga politika. Shumë më të lehtë e kishte betejën Fatos Nanon ndaj Pandeli Majkos. Ndoshta rritja artificiale në politikë e Majkos deri në detyrën e kryeministrit të vendosur nga Nano kur ishte vetëm 30 vjeç solli ngazëllimin e tij me pushtetin pa menduar se Nano në këtë fushë tashmë ishte vërtetë old, but gold. Sot Majko vuan pikërisht atë betejë të humbur që edhe pse vijon të jetë në politikë, në fakt nuk është gjëkundi. Por, edhe më interesante ka qenë marrëdhënia e Fatos Nanos me Edi Ramën. Ajo është histori më vete. Herë e ndryshkur dhe herë e vajosur, raporti mes tyre i ngjan asaj që psikoanalisti gjerman Sigmund Freud e shpjegonte si një betejë mes babait dhe të birit që në këtë rast përfundoi me një krim politik: Djali Edi Rama vrau babain Fatos Nano. Këtë betejë Fatos Nano e humbi edhe për arsyen se e kishte më lehtë të falte një armik si Berisha, por ama jo një mik si Edi Rama.
FATOS NANO NUK ISHTE ENGJËLL
Sa shumë lëvdata për Fatos Nanon këto ditë! Me të drejtë, por kur ato teprohen kanë një problem jo të vogël. Për më tepër që Fatos Nano nuk ishte engjëll. Ai ishte njeri si gjithë të tjerët. Kishte veset e veta, kishte qejfet e veta dhe nëse i referohemi partiakut socialist Dritëro Agollit, nëse dikush nuk ka asnjë ves, ai ka një problem të madh, është pa karakter. Po a ka njerëz pa të meta? Rregullat e sociologjisë me shpoti e shpjegojnë rregullin në jetën e një njeriu: Njëri ka vdekur dhe tjetri nuk ka lindur akoma.
Por cilat ishin veset e Fatos Nanos? Dalja nga burgu u shoqërua me marrjen e dy pafajësive të mëdha: pafajësinë morale të dhënë nga publiku dhe opinioni si dhe pafajësinë juridike nga gjykata. Në fakt të dyja bashkë ishin shumë dhe kjo që bëri që e gjitha te Fatos Nano të kthehej në vetëkënaqësi. Dhe organi i kënaqësisë te Fatos Nano ishte inteligjenca e lartë. U zhyt në qejfe dhe në një jetë jo të rregullt aq sa në gazeta dilnin edhe lajme të tilla si i “Koha Jonë” në 1998: Kryeministri sot u zgjua nga gjumi në orën 13.00. Zbuluesja e talentit të tij në politikë Nexhmije Hoxha, mohon që Fatos Nano të kishte vese gjatë kohës që punonte në institut. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij e lidhin këtë ndryshim me kohën e burgut. Megjithatë çdo situatë Fatos Nano e kaloi me kulturë dhe si njeri i emancipuar. Më 18 dhjetor 2001, ai bëri publik për gazetarin Blendi Fevziu divorcin me Rexhina Nanon dhe lidhjen e re me Xhoana Nano, me të cilin u martua në kishën ortodokse të drejtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos vuri kurorë më 10 nëntor 2002. Ai është i vetmi mes 33 kryeministrave në historinë e shtetit shqiptar që është martuar dhe ka vënë kurorë gjatë ushtrimit të detyrës. Por kundërshtarët poltikë dhe media kritike e shfytëzuan këtë për ta sulmuar fort. Gazeta “Koha Jonë” e atyre ditëve e përcillte me tituj ekstremë negativë këtë dasmë.
“Paraja lumë për dhëndrin Nano”; “Kryeministri martohet, shqiptarët varfërohen”. Këtë ndryshim statusi ai e shpjegoi me një frazë lapidar: Unë nuk mund të mbaj një martesë që e kam konsumuar.
Megjithatë, duhet të themi se me aftësi, vlera, vese dhe të meta, jeta politike dhe personale e Fatos Nanos mbetet historike. Fatos Nano nuk përdori ashensor për të arritur sukseset e tij. Jo vetëm i mori një e nga një shkallët, por ra edhe në gropa. Në disa raste, madje, septike. U ngrit dhe arriti edhe në maja malesh. Veçanërisht për modelin e demokracisë që futi në parti dhe politikë. Kush është ai që kishte për të bërë një kritikë Fatos Nanos dhe nuk e bëri? Sot kjo është herezi dhe baras me vdekje politike. Fatos Nano si produkt ishte një superprodhim intelektual për kohën e vet dhe një superprodhim demokracie. Sa ishte në politikë mund të themi se ishte epoka e Fatos Nanos.
(Skeda)
FATOS NANO
DITËLINDJA: 16 shtator 1952, Tiranë, Shqipëri
PRINDËRIT: Thanas dhe Maria Nano
PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks
GJATËSIA: 166 centimetra
ARSIMIMI: Diplomuar për ekonomi politike, në Universitetin e Tiranës
TITULLI: Profesor-Doktor në shkencat ekonomike
STATUSI FAMILJAR: I martuar dy herë:
Herën e parë, me Rexhina Nanon. Ka dy fëmijë: Sokol dhe Eda
Herën e dytë, me Xhoana Nanon: Me të nuk ka fëmijë
KARRIERA: 1978-1981 ekonomist në Kombinatin Metarlugjik Elbasan; 1981-1984 Ekonomist në fshatin Priskë të Tiranës; 1984-1990 në Instituin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë; 1990-1991 Zëvendëskryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit; 1991 kryeministër; 1991-2005 kryetar i Partisë Socialiste. 2005 tërhiqet nga politika.
Ka qenë tre herë Kryeministër
Hera e 1-rë: 22 shkurt 1991-4 qershor 1991
Hera e 2-të: 25 korrik 1997-28 shtator 1998
Hera e 3-të: 29 korrik 2002-1 shtator 2005
KOHËZGJATJA NË DETYRË:
Hera e parë: 3 muaj e 12 ditë
Hera e dytë: 1 vit, 2 muaj e 3 ditë
Hera e tretë: 3 vjet, 1 muaj e 2 ditë
MOSHA KUR MORI DETYRËN:
Hera e parë: 38 vjeç, 5 muaj e 6 ditë
Hera e dytë: 44 vjeç, 10 muaj e 9 ditë
Hera e tretë: 49 vjeç, 10 muaj e 13 ditë
MOSHA KUR E LA DETYRËN:
Hera e parë: 38 vjeç, 8 muaj e 18 ditë
Hera e dytë: 46 vjeç, e 12 ditë
Hera e tretë: 52 vjeç, 11 muaj e 15 ditë
DETYRA TË TJERA QË
PASOJAT NË JETË: U arrestua më 31 korrik 1993, u dënua me 14 vjet burg. U lirua më 13 mars 1997
SHIFRA
29 GUSHT
Është dita kur Fatos Nano u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nisi terapinë intensive në një nga sallat e reanimacionit në Spitalin “Hygeia” në Tiranë.
700 MIJË PERSONA
FIRMOSËN PETICIONIN PËR LIRIMIN E FATOS NANOS NË VITIN 1993-1994, SIPAS REXHINA NANOS NË LIBRIN “TË JETOSH KOHËN”, FAQE193.
1516 DITË BURG
BËRI FATOS NANO. AI U DËNUA ME 12 VJET BURG ME AKUZËN VJEDHJE PËRMES MASHTRIMIT NË FAVOR TË TË TRETËVE.
7 MILIONË LEKË TË RINJ
MORI FATOS NANO SI DËMSHPËRBLIM PAS MARRJES SË PAFAJËSISË NGA GJYKATA NË VITIN 1999.
KANË THËNË PËR FATOS NANON
RAMIZ ALIA, në librin “Jeta ime”, faqe 405
“Unë Fatos Nanon e kam mbajtur pranë dhe më pas edhe e kam “rekomanduar” në poste të larta qeveritare, deri edhe si kryeministër i vendit. Si çdo njeri i gjallë, ka pasur e ka edhe ai defektet e veta. Mbi të gjitha, prirjen për t’u grindur me cilindo nga shokët e tij, nëse ndonjëri nuk i shkon pas Fatosit, nuk mbështet pikëpamjet apo veprimet e tij. Pa dyshim, qendrime të tillë, shprehin sëmundjen më të keqe të Fatosit, ambicjen e cila ka nxjerrë krye, sidomos tani, kohët e fundit”.
NEXHMIJE HOXHA, e veja e Enver Hoxhës, shtator 2014, “Ditari i gazetarit Roland Qafoku”.
“Unë i kam dëgjuar këto veset e Fatos Nanos dhe i dënoj. Por ju them se sa ka qenë në punë në Institutin që unë drejtoja, ai nuk ka patur asnjë ves.”
LAMBERTO DINI, ministër i Jashtëm i Italisë, revista “Klan”, numri 25 mars 2001,
faqe 28.
“Fatos Nano ishte fitues i zgjedhjeve. Ai nuk kishte përvojë qeverisëse. Kishte trashëguar një gjendje të vështirë, me një mungesë të theksuar të stabilitetit të brendshëm. Korrupsion, mafie. Të luftosh këto fenomene është e vështirë edhe për qeveri të forta”.
ALFRED MOISIU, president i Republikës, në librin “Kujtime”, faqe 117
“Në këtë mënyrë se si po veproni, po humbni si ju dhe Berisha dhe vendit po i shkaktoni dëm. Mandej duhet të keni parasysh që ju nuk jeni vetëm kryetar partie por edhe kryeministri i vendit”. “Kur e dekorova Nanon ishte kryeministër i vendit dhe dekoratat për njerëzit janë, jo për hyjnitë! Mendoj se edhe metalet e rralla në natyrë nuk gjenden të pastër 100 për qind”.
SALI BERISHA, fjala me studentët në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, e diel
4 dhjetor 2011.
“Edi Rama punoi së bashku me mua për rrëzimin e Fatos Nanos se sheshet e “Mjaft-it” i mbushte PD-ja”
SALI BERISHA, më 1 korrik 2005, për gazetarin Mustafa Nano, në televizionin tv A1.
“Fatos Nano, bashkë me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, politikanët më të këqinj shqiptarë të shekullit të 20-të”.
ILIR META, më 30 korrik 2003
“Do ndaloj fatosizimin e PS dhe të shoqërisë shqiptare. Me Berishën ndryshe sillet ditën dhe puthet natën.”