Vrasja e aktivistit të njohur konservator Charlie Kirk ka shkaktuar tronditje të thellë në qarqet politike të djathta në SHBA, duke e kthyer atë në një simbol të sakrificës për mbështetësit e tij. Presidenti Donald Trump, në një deklaratë emocionale, tha se Kirk kishte potencialin për të qenë një ditë president i vendit.
Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti në kampusin e një universiteti në Utah. Pas vetes ai la dy fëmijë të mitur, bashkëshorten e tij, Erikën, 36 vjeçe, dhe një komunitet të gjerë ndjekësish të përkushtuar ndaj ideve që ai përfaqësonte – veçanërisht për lirinë e shprehjes në ambientet akademike dhe për angazhimin e të rinjve në politikë.
Në moshën 18-vjeçare, Kirk themeloi organizatën Turning Point USA (TPUSA), së bashku me mentorin e tij Bill Montgomery i cili ndërroi jetë në vitin 2020 nga COVID-19. Gjatë viteve, Kirk e ktheu TPUSA-n në një nga lëvizjet më të mëdha konservatore në vend, duke mobilizuar një brez të ri votuesish, veçanërisht në mbështetje të Trump në zgjedhjet e vitit 2024.
Të dhënat financiare të organizatës për vitin 2024 tregojnë të ardhura prej 85 milionë dollarësh dhe asete neto në vlerën e rreth 18 milionë dollarëve. Paga vjetore e Kirk si drejtues i TPUSA ishte 285 mijë dollarë shumë më e lartë krahasuar me fillimet e tij, kur merrte vetëm 27 mijë dollarë në vit. Ai gjithashtu përfitonte nga shitjet e librave dhe tarifat për ligjëratat publike.
Pas lajmit tragjik, katër nga librat e tij u ngjitën menjëherë në krye të listave më të shitura në New York Times dhe Amazon. Bashkëshortja e tij, Erika një figurë publike e njohur si prezantuese e podcast-it Midweek Rise Up dhe ish-Miss Arizona – pritet të kthehet në shtëpinë familjare në Scottsdale, me vlerë 5.6 milionë dollarë, për t’u kujdesur për fëmijët. Ajo ka treguar publikisht se ende nuk gjen fjalët për t’u shpjeguar fëmijëve humbjen e babait.
Trupi i Kirk u dërgua në Arizona me avionin zyrtar Air Force Two, në një gjest të rrallë nderimi, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance shkoi personalisht në Utah për t’i shprehur ngushëllimet familjes. Presidenti Trump, i cili foli me Erikën menjëherë pas ngjarjes, u shpreh se ajo po e përballon dhimbjen përmes forcës së besimit.
Në një intervistë të dhënë të premten, Trump konfirmoi se Erika synon të vazhdojë misionin e të shoqit përmes TPUSA, duke mbajtur të gjallë vizionin e tij për përfshirjen e të rinjve në politikë. Ai zbuloi gjithashtu se edhe djali i tij, Barron Trump, një admirues i madh i Kirk, ishte thellësisht i prekur nga kjo humbje.
Gjatë viteve, TPUSA u zgjerua ndjeshëm, me mbi 3,000 degë të hapura në universitete në të gjitha shtetet amerikane dhe më gjerë. Kirk shpesh drejtonte ngjarje të mëdha publike, të transmetuara në rrjetet sociale, duke tërhequr audienca të mëdha të rinjsh nga të gjitha shtresat shoqërore.
Ai u bë një figurë me ndikim në rrethin më të afërt të Trump, me pjesëmarrjen e rregullt të emrave si Donald Trump Jr., Kimberly Guilfoyle, Eric dhe Lara Trump në ngjarjet e TPUSA. Në fushatën presidenciale të fundit, Kirk kishte një rol strategjik në menaxhimin e aspekteve digjitale të komunikimit, duke u konsideruar si një nga arkitektët e “rikthimit të madh” të republikanëve.
Pas vdekjes së tij, homazhe u mbajtën në shumë vende të botës, përfshirë Afrikën e Jugut, Londrën dhe Australinë. Qindra vetë u mblodhën në memoriale spontane, me lule dhe mesazhe prekëse në nder të figurës që, për shumë të rinj konservatorë, përfaqësonte një ideal të vërtetë.
Trashëgimia e Charlie Kirk pritet të vazhdojë përmes organizatës që themeloi, e cila tashmë është bërë një simbol i një brezi të ri konservatorësh në Amerikë dhe jashtë saj.