Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet e legjislaturës së XI me zgjedhjen e Niko Peleshi si Kryetar të ri të Kuvendit. Peleshi mori detyrën këtë të premte, në seancën e parë plenare, ku mbajti një fjalim të gjatë përpara deputetëve, trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve.

“Besimi që më dhatë sot është një nder dhe përgjegjësi e madhe,” u shpreh Peleshi, duke theksuar se do ta ushtrojë këtë detyrë me përulësi dhe përkushtim të plotë.

Ai falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për propozimin dhe mbështetjen, duke e cilësuar këtë moment si historik për vendin.

Në fjalën e tij, Peleshi e vendosi integrimin europian në qendër të prioriteteve të kësaj legjislature.

Ai e cilësoi rrugëtimin drejt BE-së si “segmenti final dhe më i shumëpritur” i ëndrrës së qytetarëve shqiptarë.

“Ashtu si Parlamenti i parë pluralist në vitet ‘90 hodhi themelet e demokracisë, sot është radha jonë të hapim dyert e Shqipërisë drejt familjes europiane,” deklaroi ai.

Kryetari i ri i Kuvendit u bëri thirrje deputetëve të angazhohen në krijimin e një kulture të re politike, duke theksuar nevojën për konstruktivitet dhe largimin nga gjuha e urrejtjes.

Ai premtoi të respektojë të gjitha forcat politike, pavarësisht qëndrimit të tyre në votim, dhe të garantojë hapësirën e duhur ligjore për veprimtarinë e deputetëve.

Peleshi theksoi nevojën për forcimin e shtetit ligjor, mbështetjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe mbikëqyrjen e qeverisë nga Parlamenti. Ai u zotua për një Kuvend më modern, më efikas dhe më të hapur, ku digjitalizimi dhe reforma e brendshme do të jenë prioritete.

Në këtë drejtim, ai paralajmëroi një rishikim të rregullores së Kuvendit dhe organizimit të komisioneve parlamentare, si pjesë e përgatitjeve për të arritur standardet e një parlamenti europian deri në vitin 2030.

Peleshi vuri theksin te roli i diplomacisë parlamentare, duke paralajmëruar thellim të bashkëpunimit me institucionet e BE-së, Kongresin Amerikan dhe parlamentet e vendeve anëtare.

Ai përmendi edhe rëndësinë e forcimit të lidhjeve me Kuvendin e Kosovës dhe deputetët shqiptarë në rajon, për të garantuar të drejtat e shqiptarëve dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Peleshi theksoi unitetin kombëtar përballë sfidave madhore:

“Përpara sfidave të mëdha kombëtare, nuk jemi shumicë apo opozitë jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, duke lundruar drejt të njëjtit destinacion.”