Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas rinisjes së seancës plenare ditën e martë, duke kritikuar ashpër propozimin për ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare, përfshirë edhe shkrirjen e Komisionit të Integrimit Europian.

Sipas Tabakut, një veprim i tillë përbën një hap pas për demokracinë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo theksoi se Parlamenti nuk po reflekton më vullnetin e qytetarëve dhe se mazhoranca po uzurpon çdo hapësirë të opozitës.

“Ne sot duhet të kishim pasur një debat parlamentar se si mund të rrisim hapësirën e opozitës, në një moment ku të gjitha hapësirat janë zënë, janë uzurpuar nga mazhoranca dhe jo të bëjmë hapa pas,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi se struktura e re e komisioneve nuk reflekton as procesin e integrimit, as përfaqësimin dhe as prioritetet që ka sot Shqipëria. Ajo kritikoi kryetarin e Kuvendit për mënyrën se si po nis legjislatura e re, duke akuzuar se po shkelet Kushtetuta.

“Po e nisni sesionin parlamentar duke shkelur me dy këmbë rregullat e përbashkëta që duhet mazhoranca dhe opozita të jenë dakord. Dhe nga ana tjetër mburreni për procesin e integrimit. Procesi i integrimit është gjithëpërfshirje, është dakordësi, zbatim i rregullave, çfarë vlere ka sa kapituj hapen e mbyllen kur ti shkel Kushtetutën,” vijoi më tej Tabaku.

Në përfundim, ajo bëri thirrje për një debat të gjerë mbi reformimin e Kuvendit dhe përfshirjen e opozitës në vendimmarrje, duke theksuar se roli i Kuvendit është të jetë një hapësirë debati dhe uniteti, jo përjashtimi.

Kujtojmë se Jorida Tabaku mbante postin e kryetares së Komisionit për Integrimin, sesionin e kaluar parlamentar.