Nga Baton Haxhiu
Në raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Bankës Botërore, shëndetësia në Ballkan përshkruhet si një sistem i mbetur në tranzicion: e tejngarkuar, e nënfinancuar dhe e zhytur shpesh në praktika jo transparente.
Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta publike për shëndetësi, me vetëm 2.7% të GDP-së, ndërkohë që fqinjët shpenzojnë gati dyfish dhe Bashkimi Evropian trefish.
Raportet ndërkombëtare theksojnë qasjen e pabarabartë ndaj shërbimeve, mungesën e digjitalizimit dhe boshllëqet e mëdha në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Në vend të një sistemi të integruar, qytetarët përballen me improvizim, pagesa nën dorë dhe spitale që funksionojnë mbi letra. Në këtë panoramë të zymtë, ku statistika dhe përvoja e përditshme flasin njësoj, vjen një shkencëtare e njohur ndërkombëtarisht për të provuar të shërojë një trup që prej vitesh nuk i përgjigjet asnjë terapie.
Një “Diellë mjekësore”?
Pse e solli Rama Evis Salën? Kjo është pyetja që bëhet sot, me një shpresë se ndoshta një shqiptare idealiste do t’i japë vendit “Diellën mjekësore”.
Deri dje, Rama promovoi ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, një avatar i pagëzuar Diellë , simbol i një të ardhmeje virtuale. Sot, ai sjell një shkencëtare të gjallë, me karrierë të pakontestueshme, përballë një sistemi që nuk njeh as inteligjencë, as artifice.
A mund të jetë Evis Sala “Diella” që do të ndriçojë shëndetësinë shqiptare? Përgjigjja mbetet e hapur: algoritmi nuk lodhet kurrë, por njeriu thyhet kur përballet me një trup kaq të sëmurë. Dhe kur njeriu thyhet, sistemi nuk prodhon dritë, por error.
Skepticizmi nuk është për shkencëtaren, por për terrenin ku ajo vjen.
Në shëndetësinë shqiptare nuk funksionon asnjë sistem informatik. Vetëm QSUT ka një program të pjesshëm, që përdoret në mënyrën më primitive të mundshme.
Regjistrimet bëhen sporadikisht në letra, pa protokolle, pa llogaritje kostosh, pa inventar të integruar, pa asnjë transparencë financiare. Në spitale të tjera nuk ka asnjë gjurmë informatizimi. Dhe megjithatë, flitet për projekte të Inteligjencës Artificiale.
Si mund të zbatohet AI aty ku mungon edhe baza më minimale e të dhënave? Është një paradoks i shtrenjtë, një investim i destinuar të përfundojë në koshin e plehrave.
Kishin ardhur edhe ekspertët izraelitë për të dhënë konsulencë në Onkologjik. Për dy milionë euro ata rekomanduan rritjen e shtretërve dhe një buxhet më të madh për barna, një diagnozë që çdo pacient e dinte edhe pa raport.
Shqipëria nuk ka mungesë dijesh për të parë realitetin, por mungesë vullneti për ta trajtuar. Dhe pikërisht në këtë terren vjen Evis Sala, një nga radiologet më të njohura në botë, që ka drejtuar shërbime prestigjioze në SHBA dhe Britani dhe tani përballet me trupin e sëmurë të shëndetësisë shqiptare.
Pyetja mbetet: a do të jetë ajo idealistja që përpiqet të ringjallë sistemin, apo një figurë që përdoret për imazh politik dhe autoritet moral ndaj mjekëve?
Për të kuptuar se me çfarë do të përballet Evis Sala, mjafton ta shohim shëndetësinë shqiptare si një trup të sëmurë që nuk i përgjigjet më terapive të zakonshme. Dhe ky trup ka plagët e veta të mëdha, që duken qartë sapo i prek.
Përtej shifrave dhe raporteve ndërkombëtare, realiteti i shëndetësisë shqiptare shfaqet përmes disa plagëve të dukshme, që e kanë shndërruar sistemin në një trup të rrënuar. Ja cilat janë sëmundjet kryesore.
Sëmundja e parë: korrupsioni si metastazë
Në Shqipëri, pacienti paguan dy herë: një herë përmes taksave dhe një herë përmes zarfit nën dorë. Publikja është bërë private dhe mjeku shpesh është kthyer në ndërmjetës të pazareve.
Ryshfeti nuk është më përjashtim, por normë. Dhe kur një sëmundje bëhet kulturë, ajo nuk trajtohet më me masa administrative, por kërkon një kirurgji morale që askush s’e ka guxuar.
Sëmundja e dytë: nënfinancimi dhe abuzimi
Shëndetësia shqiptare financohet me 2.7% të GDP-së. Rajoni shpenzon 5–6%, BE arrin 8–10%. Por edhe ato pak fonde humbasin në tendera të fryrë, prokurime të dyshimta dhe receta fiktive.
Vetëm nga recetat e rimbursueshme, vlerësohet se vidhen mbi 20 milionë euro në vit. Ky është një trup që ka pak gjak dhe e humbet edhe atë përmes plagëve të hapura të abuzimit.
Sëmundja e tretë: barnat, sigurimet dhe mjeku i familjes
Lista e barnave të rimbursuara është minimale. Pacienti shqiptar paguan nga xhepi për trajtime bazike që në vendet e rajonit dhe në BE mbulohen nga sigurimet.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore mbetet një fantazmë: nuk ka model të qartë financimi, nuk kontrollon abuzimet, nuk garanton barazi. Ndërkohë, mjeku i familjes dhe qendrat diagnostike janë lënë jashtë loje, pa pajisje, pa staf, pa autoritet.
Pacienti nuk gjen zgjidhje aty dhe mbingarkon spitalet qendrore. Premtimi për një kartë sigurimi që do të bashkonte publikun dhe privatin ka mbetur letër e harruar.
Sëmundja e katërt: eksodi dhe mungesa e dijes
Çdo vit qindra mjekë ikin jashtë. Shqipëria humbet elitën e saj profesionale pa e zëvendësuar. Nuk ka programe të edukimit të vazhdueshëm, nuk ka investim serioz në kërkim shkencor, nuk ka politika për t’i mbajtur të rinjtë. Një vend që humbet mjekët, humbet edhe shpresën.
Profecia e shpresës
Evis Sala vjen nga një botë ku shkenca matet me fakte dhe etika është busull. Në Shqipëri do të përballet me një sistem pa moral dhe shpesh jo human, ku pacienti është monedhë dhe mjeku i lodhur tregtar shërbimesh.
Por ajo ka një avantazh: autoritetin e një karriere ndërkombëtare dhe integritetin e një shkencëtareje që nuk i detyrohet politikës.
Suksesi i saj nuk do të vijë nga një reformë e madhe në letër, por nga tri hapa të qartë që i përmend edhe OBSH-ja: transparencë në fondet e shëndetësisë, barazi në aksesin e barnave dhe dinjitet për mjekun e familjes.
Nëse ajo arrin të rikthejë besimin, do të ketë kryer operacionin më të madh që i mungon këtij vendi: transplantin e shpresës. Sepse Shqipëria ende nuk ka guxuar të bëjë asnjë transplant të jetës, pavarësisht se ka blerë aparatura moderne.
Por kirurgjia e madhe nuk mjafton vetëm në shëndetësi. Shqipëria ka nevojë po aq për një figurë të ngjashme në krye të arsimit – një shkencëtar me autoritet ndërkombëtar që të reformojë dijen dhe të kthejë respektin për shkollën.
Sepse dy janë organet jetike që kërkojnë ndërhyrje të thellë: shëndetësia dhe arsimi. Pa shëndetësi nuk ka jetë. Pa arsim nuk ka të ardhme.
Nëse këto dy fusha marrin në krye figura të kalibrit të Evis Salës, atëherë Shqipëria ka një shans të rigjenerohet. Një trup i sëmurë mund të shërohet.
Një tru i lodhur mund të rilindë. Por vetëm kur në krye vendosen mjekët dhe mësuesit e duhur, jo si dekor politik, por si kirurgë të së ardhmes.