Drejtuesi i emisionit “Real Story” dhe gazetari Sokol Balla ndodhet në New York, ndërsa ka ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në një moment delikat gjeopolitik botëror.

Ai ka biseduar me ministren Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila flet për herë të parë, pasi u emërua në krye të kësaj ministrie.

Ajo shprehet se ndihet dyfish e emocionuar pas kthimit në SHBA, pasi ka studiuar dhe punuar për disa vite atje. Ajo e konsideron si përgjegjësi të madhe besimin që kryeministri Edi Rama i dha për drejtimin e kësaj ministrie.

Ministrja Spiropali theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment të mirë sa i takon procesit të integrimit në familjen e Bashkimit Evropian.

Kryediplomatja e Shqipërisë shprehu konsideratat e saj për dy nga zonjat socialiste, të cilat kanë drejtuar më parë Ministrinë e Punëve të Jashtme, përkatësisht Arta Daden dhe Olta Xhaçkën.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Elisa, po të drejtohem miqësisht, mirëmbrëma. Ke një histori me Amerikën apo jo?

Ministrja Elisa Spiropali: Po, unë jam dyfish e emocionuar që vij këtu si ministre e Jashtme. Kam studiuar në SHBA, në Massachusetts, për 4 vite kam jetuar aty dhe një vit në New York, kështu që, kthimi nuk është pa emocion edhe përgjegjësi dyfishe. Përgjegjësi të cilën e ndjej të madhe që nga besimi që na dhanë qytetarët më 11 maj me 83 mandate më pas besimi që kryeministri Rama e shumica, më pas Asambleja më dha për të drejtuar Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme në këtë moment shumë kritik por edhe të mirë për Shqipërinë sa I takon procesit të integrimit dhe mundësisë që Shqipëria të jetë një anëtare e BE me të drejta të plota.

Sokol Balla: Ministrja e tretë e punëve të Jashtme, pas znj.Dade dhe znj.Xhaçka. E treta e vërteta!

Ministrja Elisa Spiropali: Nuk e di të vërteta, kanë qenë edhe znj. Dade edhe znj. Xhaçka në detyrat e tyre. Kam respektin maksimal për të dyja janë edhe mikesha të mira dhe zonja me sharm./abcnews.al