Presidenti rus, Vladimir Putin, është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por ka theksuar se një takim i tillë duhet të jetë “mirë i përgatitur” dhe me përmbajtje të qartë. Sipas tij, nuk ka kuptim një takim pa rezultate konkrete.
“Nuk kam refuzuar kurrë një takim të tillë, për sa kohë që ai sjell rezultate pozitive,” deklaroi Putin, duke u përgjigjur në një pyetje mbi mundësinë e një kontakti të drejtpërdrejtë me liderin ukrainas. Kreu i Kremlinit zbuloi gjithashtu se këtë çështje e ka diskutuar edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Donald më pyeti nëse është e mundur të ndodhë një takim i tillë. I thashë: Le të vijë në Moskë,” tha Putin.
Duke folur për zhvillimet në frontin e luftës, Putin u shpreh se ekziston “dritë në fund të tunelit” dhe se nëse mbizotëron arsyeja, mund të arrihet një marrëveshje për përfundimin e konfliktit. Ai shtoi se edhe administrata amerikane duket se ka vullnet për të gjetur një zgjidhje.
Megjithatë, paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshje, Rusia do të detyrohet të përmbushë objektivat e saj përmes mjeteve ushtarake.
Sa i përket situatës në vijën e frontit, presidenti rus tha se forcat ruse po avancojnë në të gjitha drejtimet, ndërsa sipas tij, Ukraina nuk ka kapacitet për ofensiva të mëdha.
“Ushtria ukrainase përpiqet të riorganizojë forcat e saj për të mbuluar boshllëqet, por analizat paraprake të ekspertëve tanë ushtarakë tregojnë se nuk kanë mundësi reale për sulme të mëdha,” deklaroi Putin.