Barcelona dështoi të kualifikohej në gjysmëfinale, duke i dhënë fund rrugëtimit europian që në çerekfinale, pasi u eleminuan nga Atletico.

Edhe pse ndeshja e dytë në “Wanda Metropolitano” përfundoi në favorin e tyre me rezultatin 2-1, nuk mjaftoi që Blaugranat të përmbysnin atë humbje në shtëpi, duke zgjatur periudhën pa e fituar këtë trofe në 11 vite.

Vendimet e arbitrit Clement Turpin në aktin e dytë janë kontestuar sërish nga ana e klubit, që i faturuan gabimet e kryesorit UEFA-s përmes një ankese zyrtare.

Një javë më parë, klubi spanjoll kërkoi llogari ndaj këtij organi, duke paraqitur dhe faktet që parashtronin akuzën, por morën një përgjigje të ftohtë e cila u hodh menjëherë poshtë duke u cilësuar si e “papranueshme”.

“Barcelona kërkon shpjegime lidhur me performancën e arbitrimit në Champions League në ndeshjen e fundit çerekfinale përballë Atleticos.

Klubi nënvizon se, përgjatë dy ndeshjeve, një sërë vendimesh të arbitrave që janë marrë nuk përputhen me Rregullat e Lojës e kjo vjen si pasojë e një zbatimi tejet të gabuar të rregulloreve si dhe mungesën e ndërhyrjes nga sistemi VAR në incidente me një rëndësi të lartë.

Sipas Barcelonës, akumulimi i këtyre gabimeve ka patur një ndikim të menjëhershëm në rrjedhën e këtyre ndeshjeve dhe konkluzionet përfundimtarte, duke na shkaktuar dëme të konsiderueshme sportive dhe financiare.

Duke paraqitur këtë ankesë, klubi përsërit kërkesat e paraqitura më parë drejt UEFA-s dhe është e gatshme të ofrojë një bashkëpunim me organizatën për të përmirësuar sistemin e arbitrimit për një zbatim më rigoroz, të drejtë dhe transparent të Rregullave të Lojës”, shkruhet në deklaratën zyrtare të klubit.