Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar nga Pekini se Rusia nuk synon të sulmojë asnjë vend tjetër, duke i quajtur pretendimet për një kërcënim rus ndaj Evropës si “provokim” ose “paaftësi”. Deklarata u bë gjatë një takimi me kryeministrin sllovak Robert Fico.
“Ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd. Të gjitha këto deklarata për qëllimet tona ndaj Evropës janë ose provokim ose paaftësi”, tha Putin, duke iu referuar shqetësimeve të vendeve perëndimore se Moska mund të zgjerojë agresionin e saj përtej Ukrainës.
Putin shtoi gjithashtu se Rusia nuk e ka kundërshtuar kurrë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, por e konsideron “të papranueshëm” anëtarësimin e saj në NATO.
“Kjo është një vijë e kuqe për ne”, theksoi ai.
Në deklaratat e tij, Putin u shpreh se këtë çështje e kishte diskutuar edhe me presidentin amerikan Donald Trump gjatë një takimi në Alaska
Prej kohësh, frika në qarqet evropiane është se në rast suksesi në Ukrainë, Kremlini mund të synojë vende të tjera të Evropës Lindore, duke u mbështetur në bindjen historike se ish-territoret e Bashkimit Sovjetik i përkasin Rusisë.