Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale këtë të martë për të uruar publikisht ish-kryetarin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, me rastin e ditëlindjes së tij.

Nga Brukseli, ku ndodhet për një leksion në Kolegjin e Europës në Bruzh, Rama ndau një mesazh personal e politik njëkohësisht, duke nënvizuar rolin që Nano ka pasur në rrugëtimin europian të PS-së dhe të Shqipërisë.

“Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet”, shkruan Rama.

Duke e cilësuar si një figurë kyçe në transformimin e Partisë Socialiste drejt vlerave europiane, Rama vlerësoi kontributin e Nanos veçanërisht në fillimet e viteve ’90.

“Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa”, shkruan ai.

Më tej, kreu i qeverisë nënvizon se pa drejtimin e Nanos në fazën e parë të Partisë Socialiste, rruga e Shqipërisë drejt integrimit mund të kishte qenë më e gjatë.

“Sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë”, përfundon Rama.

Postimin e shoqëron edhe me një urim personal:

“Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar.”