Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar kwtw tw martw me tone të forta ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për gjyqtarin Marko Boshku, të cilin Rama e akuzoi për rikthimin në detyrë të një ish-drejtuesi të Autoritetit të Mbikqyerjes Policore (AMP) me precedentë disiplinorë.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata shpreh “revoltën” e saj për sulmin që e konsideron “të paprecedentë dhe të papranueshëm” ndaj gjyqtarit Boshku, të cilin e përshkruan si një “model integriteti” në detyrë. Për më tepër, Shoqata i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor të marrë një qëndrim të qartë mbrojtës ndaj gjyqtarëve dhe kërkon mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Shoqata thekson se çdo deklaratë denigruese nga përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv përbën ndërhyrje të papranueshme në veprimtarinë e gjyqtarëve dhe sjell përgjegjësi ligjore sipas Kushtetutës.
“Sulmi ndaj gjyqtarëve përbën sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe rrezikon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” thekson deklarata, duke vënë theksin tek rëndësia e ndarjes së pushteteve si themeli i shtetit të së drejtës.
Shoqata paralajmëron se nuk do të qëndrojë vetëm në deklarata, por do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur dinjitetin e gjyqtarëve, duke monitoruar dhe ndjekur çdo sulm ndaj tyre, përfshirë edhe ato që sipas saj mund të përbëjnë vepra penale.