Ndërsa prezantoi ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, kryeministri Edi Rama ironizoi Ministrinë e Brendshme. Rama tha se Gjendja civile ka ende probleme me sistemin. Kreu i qeverisë tha se kanë lehtësuar lejet e qëndrimit dhe të punës, por ndërkohë ky lajm në Ministrinë e brendshme shkoi sikur të ishte nisur me pëllumb. Rama tha me ironi se Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare.
“Kemi bërë një proces të tërë për të lehtësuar lejet e qëndrimit dhe të punës edhe nën presionin pozitiv të sipërmarrjes dhe po u them që mbasi ne kemi miratuar gjithë procesin dhe kemi shkruar e zeza mbi të bardhë që duhen dhe mjaftojmë 7 ditë për të dhënë leje qëndrimi dhe pune, që të vinte lajmi në këtë ministri, ishte njësoj sikur ai legjislacion ishte nisur me një pëllumb, me një ligjin dhe VKM përkatëse të lidhura me spango te këmba e pëllumbit, që ishte nisur nga Kruja për të shkuar në portën e lartë. Ndërkohë ka personazhe të çuditshëm shefash e ku di unë, që vazhdonin vazhdimin me histori zvarritjes, që janë për librat e Franc Kafkës. Një nga shembujt që i kam konkret për të ilustruar, se kjo që them që Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare, nuk është metaforë. Nëse për Shqipërinë ora është 1 e 30 pas dreke sot, për Ministrinë e Brendshme ora është 1 e 30 e natës. Duhet të presësh që të vijë darka këtu, që të zgjohen në ministrinë e Brendshme. Nëse për Shqipërinë është ora 1 e 30 pas dreke, e një ditë shtatori 2025, për Ministrinë e brendshme është ora 1 e 30 e natës e nëntorit 2001. Gjendja civile akoma sot ka problematika me sistemin, standardet e shërbimit të kompanive të sigurisë private, se ato çetat e bajrakëve të dikurshëm, sot vazhdojnë të jenë në realitetin shqiptar, por quhen kompani private sigurie. ”, tha Rama.