Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të forta ndëshkuese për ndërtuesit që shkelin ligjin, duke vënë theksin te fenomeni i “ndërtimit të ligjshëm të paligjshëm”, ku projekti i miratuar deformohet në mënyrë të qëllimshme.

“Veç rregullores do krijojmë kushte për të asistuar subjektet që do duhet të vendosin me leje dhe me norma e kritere të qarta edhe strehë apo tendë. Nuk bën vvaki më me platforma dhe me hapje të tyre deri te rruga,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se qeveria nuk do të tolerojë më ndërtuesit që mashtrojnë qytetarët dhe deformojnë projektet fillestare. “Është një tjetër fenomen që ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalim. Ka një përmirësim të ndjeshëm. Mua s’më intereson përmirësimi, por çfarë nuk shkon,” shtoi ai.

Sipas kreut të qeverisë, ndryshimet do të përfshijnë përgjegjësi të drejtpërdrejta për të gjitha hallkat e zinxhirit të ndërtimit, përfshirë arkitektët, supervizorët dhe inspektorët.

“Sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie – në qendër është ndërtuesi,” tha Rama.

Për ndërtuesit që do të kapen në shkelje, kryeministri paralajmëroi vendosjen në një listë të zezë, që do t’i përjashtojë nga çdo aktivitet ndërtimor për një periudhë disa vjeçare. “Mendoj se duhet të jetë më e gjatë se ajo që propozoi grupi i punës,” theksoi ai.

Rama komentoi edhe rastet ku qytetarët kanë paguar për apartamente që nuk i marrin dot në dorëzim. “Kjo nuk është zgjidhja, se qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë. Ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam me ministrin që nuk i lenë as të futen brenda ose faktikisht nuk marrin dot shtëpinë, se arrijnë deri në absurd që një apartament shitet dy herë,” deklaroi kryeministri.

Për këto raste, Rama njoftoi një tjetër masë drastike: “Përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit, do ta administrojë shteti dhe do ta vërë në dispozicion të atyre që kanë paguar.”