Nga Lorenc Vangjeli

Në vitin 2013, atëherë kur Rama mendonte për Berishën atë që sot mendon Berisha për të, premtimi thelbësor ishte një: të rilindë Shqipërinë. Në tetë vitet në vijim, meqë Shqipëria nuk kishte qenë asnjëherë e vdekur që të rikthehej sërish në jetë nga politika, Rama konsumoi dy mandate rradhazi duke qeverisur i vetëm. Rezultati kryesor dhe më i dukshëm politik ishte se rithemeloi partinë e tij. Në 2005-ën ky është mision i mbyllur. Nga trashëgimia e dikurshme komuniste në strukturë, në transformimin demokratik e pothuaj liberal të viteve 90-të e deri në 2005-ën, sot PS ka vetëm emrin e dikurshëm të njëjtë. Çfarë kishte mbetur nga rithemeluesit në pluralizëm, çfarë ishte kursyer nga prurjet tre çerek private e kapriçioze të Nanos dhe kush i kishte mbijetuar tranzicionit opozitar të partisë në dy mandate rradhazi në opozitë mbas 2005-ës, janë vetëm foto kujtimesh. PS është njëlloj si PD në krahun tjetër, frut i vullnetit të drejtuesit të saj. Eshtë një repart elektoral që thirret nën armë në fushata dhe që pret në letargji fushatën e rradhës për t’u përdorur si armë elektorale.

Në prolog të mandatit të katër Rama duket se ka vetëm një mision vetjak: të rishpikë vetveten! Herë duke e thënë anash e anash, herë duke e dëshmuar edhe në mënyrë direkte, në të gjitha aktet e tij nga vera e deri në këtë muaj të parë të vjeshës, Rama po sillet si një kryeministër që hyn për sefte në zyrë. Sikur gjithë të tjerët kanë qenë aty dhe ai i ka vëzhguar nga larg dhe po i vlerëson për çfarë kanë bërë keq dhe për çfarë kanë bërë edhe më keq në tre mandate. Kur flet për kontrollin e territorin dhe ndërtimet pa leje, për reformën territoriale apo “reformën” e shezlongjeve, për policinë si çetë të ministrave të brendshëm apo zjarrfikësit si jetimët e harruar, për rrugët problematike apo sigurinë ushqimore, për shëndetësinë apo administratën, e sidomos për “…drejtësinë që ai ka pesë vjet që po e pret të rritet dhe nuk do ta tolerojë më që të bëjë gabime”, Rama duket se po bind dhe veten se sapo ka marrë mandatin e tij të parë dhe po qorton paraardhësit. Jo me gjuhën që përdorte kur i pari ndër ta quhej Berisha, por pak më i moderuar kur flet për Ramën 1, 2 dhe 3 dhe një mori mbrapshtish që duhet të vihen në udhë të mbarë.

Për paradoks, një nga ato paradokse që Ballkani i prodhon shpesh në qeverisje, në shumicën dërmuese të kritikave të tij Rama ka absolutisht të drejtë. Askush më mirë se vetë pacienti, nuk e di se ku i dhemb plaga dhe ku i kruhet e çara. Problemi qëndron tek fakti që në qeverisje, si dhe në çdo qelizë të shoqërisë, suksesi është i “babës”, kurse faji mbetet kopil, pa atësi e pa mëmësi. Problemi është se Rama kërkon të ndryshojë duke përdorur të njëjtën tipologji sjelljeje. Të njëjtin identikit nëpunësi politik të majmur nga pushteti, të kufizuar nga intelekti. Të pakufishëm në servilizëm dhe të trembur nga e nesërmja për shkak të mëkateve të së shkuarës. Qeveria e tij është në thelb e njëjtë me atë që kishte dhe retushi i bërë aty-këtu, nuk ndryshon asgjë. Dhe nuk shërben për të shëruar pakënaqësinë e kryeministrit me vartësit e tij pa cepa e pa thepa, që kanë veshë për të dëgjuar dhe gojë vetëm për të konsumuar.

As Diella nuk mund t’i japë shumë dorë e ndihmë në këtë sipërmarrje me gjithë inteligjencën e saj të epërme artificiale. Ajo i shërbeu vetëm si bezja e kuqe për të eksituar instiktin luftarak të opozitës, që humbi rastin për të thënë ato që kishte bërë gati të thoshte Berisha, pararendësi i Ramës në qeveri. Diella i kurseu kryeministrit momentet e sikletshme për të dëgjuar se çfarë ka bërë zëvendëskryeministrja e tij me rrugë, energji e tunele apo sesi kryetari i tij i kuvendit është qenia amorfe dhe ka pesë dosje korrupsioni. E po kështu edhe për serinë e ndihmësve të tij që ka ulur në qeveri, si pjesë e garniturës që ai shpreson se do ta ndihë të rishpikë veten. Për në librat e historisë. Sepse herët a vonë, gjithkush që ka qeverisur në këtë vend, ka bashkëjetuar me pengjet e të shkuarës duke mbetur peng i enigmës së të ardhmes: Çfarë do të thotë historia për mua?