Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të diele përshtypjet e qytetarëve që kanë kaluar në rrugën e re Qukës-Qafë Plloçë, që u hap më 5 shtator. Segmenti i ri rrugor që shmang Prrenjasin, Qafë Thanën dhe Pogradecin, ka një gjatësi prej 43 kilometrash, dhe do t’i shërbejë të gjithë zonës së juglindjes. Qytetarët shprehen të kënaqur, duke vënë theksin te distanca e shkurtuar.

“Shumë rrugë e mirë, shpëtuan nga trafiku.”, u shpreh një qytetar.

“Super spektakël, na shpëtoi të gjithëve.”, tha një tjetër.

Na bëhet qejfi që ia arritëm kësaj dite.”, shtoi një tjetër.

“Shumë e mirë, shumë e shkurtër. Shumë e mirë, përtej pritshmërive.”, u shprehën të tjerë.

Zonën e Mokrës, shprehet një tjetër, e ka ndihmuar shumë. Një emigrant nga Amerika, i cili thotë se ka ardhur në Shqipëri për të bërë punime dhe për t’u rikthyer përfundimisht shprehet se rruga e re do të jetë një shtysë edhe për emigrantë të tjerë për t’u rikthyer dhe investuar në vendin e tyre të lindjes.

“Ne vinim për dy orë në Pogradec, tani kemi shpëtuar. Falenderojmë kryeministrin për këtë mrekulli.”

“Super rrugë, nga Mokra-Pogradec gjysmë ore.

“Kanë bërë një punë fantastike. Na bëhet qejfi shumë që edhe në Shqipëri po bëhen shumë përparime. Jemi të kënaqur. “, tha një emigrante.

“Zonën e Mokrës e ka ndihmuar shumë, jashtë mase. Për 20 minuta vijmë në Pogradec.”, tha një banor.

“Unë vij nga Amerika, kam ardhur të rregulloj shtëpinë në fshat për t’u rikthyer. U bë kjo rrugë, si puna ime mund të kthehen shumë të tjerë. “, tha emigrant.

Aksi Qukë-Qafë Plloçë ka edhe tunele me gjatësi totale 1.1 kilometra, pra 710 metra njëri tunel dhe 300 metra tuneli tjetër; 4 ura, dy prej të cilave të varura. Kjo rrugë e re me kosto 260 milionë euro, shmang Përrenjasin, Qafë Thanën dhe Pogradecin.