Në një takim me ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama theksoi se Bashkia e Tiranës ka nevojë për një udhëheqje të re, duke renditur si një nga arsyet kryesore rënien dramatike të prokurimeve publike, të cilat janë në nivelin më të ulët historik. Rama u shpreh se situata me prokurimet ka krijuar një vakum që kërkon urgjent një proces legjitimimi dhe motivimi të administratës lokale.

“Prokurimet publike janë në nivelin më të ulët historik, dhe kjo ka sjellë një rënie dramatike të investimeve në qytet. Nevojitet një udhëheqje e re që të mund të motivojë njerëzit dhe të sigurojë zgjidhje për problematikat që kërkojnë vëmendje të menjëhershme, siç janë çerdhet, kopshte, dhe transporti publik,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se përmirësimi i situatës kërkon një “katarsis burimor” të administratës së Bashkisë së Tiranës, duke shtuar se kjo do të pasohet nga një paketë legjislative që do të adresojë ndëshkime të rënda për shkelësit e ligjit në administratë.