Një ndër elementët kyç në paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit është certifikata e përdorimit, e cila do të kushtëzojë lidhjen me shërbimet bazë si energjia elektrike dhe furnizimi me ujë për objektet në ndërtim.

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të kësaj pakete, theksoi se nuk do të lejohet më funksionimi i godinave pa këtë certifikatë. Sipas tij, kjo masë synon të vendosë rend në sektorin e ndërtimit dhe të parandalojë situatat kur banorët futen në apartamente të palegalizuara, duke e bërë të pamundur konfiskimin e godinës.

“Nuk do lidhen më drita dhe ujë nëse objekti nuk ka marrë certifikatën e përdorimit. I fusin njerëzit në apartament, i marrin peng dhe ikin. Kështu e bëjnë të pamundur konfiskimin e pallatit. Kjo nuk do lejohet më. Deri ditën që do merret certifikata e përdorimit, nuk do ketë as ujë, as drita”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se edhe aktivitetet tregtare pa leje do të përballen me pasoja të ngjashme, duke e konsideruar të papranueshme që bizneset të operojnë në kundërshtim me ligjin dhe njëkohësisht të përfitojnë nga shërbimet publike.

“Lokalet që operojnë pa leje, do rishikojmë këtë komponent. Nuk ka më që operon pa leje, por unë paguaj ujë, taksa, drita. Është përgjegjësi e shtetit. Jo”, tha ai.
Në përmbyllje, Rama theksoi se kjo qasje e re është një domosdoshmëri në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe një hap i rëndësishëm drejt ndarjes së qartë të interesit publik nga ai privat.

“Për të bërë Europën e Ballkanit, duhet të hedhim hapa të rëndësishëm përpara. Kemi bërë shumë për ta bërë këtë vend më të jetueshëm dhe me më shumë rregull, por tani duhet të ndajmë qartë çfarë është publike dhe çfarë është private”, përfundoi ai.