Pas mbylljes së seancës, e cila zgjati 25 minuta, ka ardhur reagimi nga kryeministri Edi Rama. Ai thotë se me kaosin që shkaktoi opozita, duke mos e lejuar që të prezantonte programin qeverisës, nuk u respektua kufirin etik. Sipas Ramës, 83 mandatet që i dhanë qytetarët më 11 maj, janë edhe një detyrim për të respektuar ata që votuan opozitën, duke u dhënë atyre hapësirën e duhur për të folur në parlament.
Por, sipas kreut të qeverisë, një gjë e tillë nuk mund të vazhdojë për sa kohë opozita vazhdon me avazin e vjetër të “pengmarrjes” së Kuvendit. Rama thotë gjithashtu se opozita duhet të heqë dorë nga kjo strategji bllokuese, për të vijuar me qenë e papenguar të thotë fjalën e saj, ashtu siç i takon, në Kuvend.
“83 mandatet e 11 majit për ne, janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur, po edhe një detyrim ndaj zgjedhësve tanë për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën e sharjet e rrugës si alternativë opozitare. Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare. Ndërsa shkelja e atij kufiri për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës”, shkruan Rama.
Më tej, Rama ka ndarë edhe fjalën që “mbajti” Diella në parlament, ndërsa bën me dije edhe një lajm që, siç shton ai, nuk mundi dot ta thoshte dot në parlament: “ministrja” virtuale do të jetë e pranishme edhe fizikisht në tryezat e qeverisë.
“Bashkëngjitur fjala e parë e Diellës në Kuvendit e Shqipërisë, e cila u transmetua nga monitorët e sallës ndërkohë që çka nuk arrita dot të them ndër të tjera, ishte se me shumë gjasë, brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë. “, shkruan Rama.