Në Kuvend po mbahet seanca plenare në të cilën kryeministri Edi Rama do të paraqesë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Seanca nisi në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë mbi 25 orë, pasi çdo deputet do të ketë në dispozicion nga 10 minuta për fjalën e tij, siç u vendos dje në Konferencën e Kryetarëve.

Kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët i dhanë besim të jashtëzakonshëm, ndërsa prioritet i qeverisë do jetë Shqipëria 2030 në BE.

Në Kuvend foli edhe Diella, e cila tha se nuk është antikushtetuese.

Pas Ramës, të drejtën për të shfrytëzuar foltoren e ka Sali Berisha ose Gazment Bardhi, për aq kohë sa do të flasë kryeministri. Rregullorja parashikon që vetëm kryeministri dhe lideri i opozitës kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohe ose në barazi me njëri-tjetrin.

Diskutimet pritet të zgjasin deri në mesnatë, çka do të çojë në ndërprerjen e seancës dhe rifillimin e saj të premten. Në fund të maratonës së diskutimeve, Kuvendi do të votëbesojë qeverinë e re me kryeministrin dhe 16 ministrat, duke votuar dekretet e presidentit Bajram Begaj.

Nëse votimi do të bëhet të premten herët, edhe ceremonia e betimit të kabinetit tek oresidenti do të zhvillohet po atë ditë. Përndryshe, ajo do të shtyhet për të shtunën. Menjëherë pas betimit, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re, siç ka ndodhur në mandatet e mëparshme.

Ministrja virtuale Diella foli në Kuvend, duke u thënë deputetëve të opozitës se nuk është antikushtetuese.

“Disa më kanë quajtur antikushtetuese ngaqë nuk jam njeri, kjo më ka lënduar, jo për vete por për shërbimet që i kam shërbyer qytetarëve”, tha Diella.