Punimet në segmentin Elbasan-Papër, pjesë e Korridorit VIII, po vijojnë me ritme të shpejta për ta bërë autostradën funksionale sa më shpejt për qarkullim.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna në kantierin e rrugës Elbasan – Papër, Loti II, ku po vijohet me ritme të mira.

Deri tani realizimi fizik i projektit ka arritur në masën 46%.

Kryeministri vlerësoi se ky investim pjesë e Korridorit VIII, do të përmirësojë qarkullimin rrugor me kushte e standarde të larta sigurie.

Në përfundim të punimeve kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A që plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret europiane të lëvizjes.

Korridori VIII është një nga korridoret e rëndësishme PanEuropiane që përshkon Shqipërinë dhe konsiderohet si investim strategjik në infrastrukturë.