Seanca e parë e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua në një atmosferë tensioni politik të lartë. Partia Demokratike (PD), e cila ka zvogëluar numrin e deputetëve në 50, u rikthye në sallë me të njëjtat akuza si më parë, duke cilësuar zgjedhjet si një “farsë”. Megjithatë, opozita premtoi se do të mbrojë interesat e qytetarëve.

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur për gazetarët, deklaroi se ky është “një akt absolutisht me një mjedis legjitim” dhe se opozita po bën “një përpjekje më të fuqishme për çlirimin e shqiptarëve nga narkodiktatura.” Ai e cilësoi Kuvendin si “jolegjitim” dhe “parlamentin e miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve”.

Në anën tjetër, socialistët, që fituan me thellësi 83 mandate, për herë të parë u ulën edhe djathtas në sallë, duke shënuar një ndryshim në rendin tradicional. Seancën e drejtoi deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin rolin e deputetëve më të moshuar. Llajo bëri thirrje për bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit në BE, të cilin e cilësoi si një mision kombëtar:

“Qytetarët duan rezultate që ndihen në familjet e tyre. Të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi për çështje të mëdha kombëtare, duhet të kemi turp nëse nuk e bëjmë këtë. Shqipëria sot është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtar, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë,” – tha Llajo.

Seanca zgjati vetëm 24 minuta dhe u karakterizua nga një përplasje e opozitës me mazhorancën. Sali Berisha mori fjalën jashtë rendit të ditës dhe bllokoi foltoren, duke u rrethuar nga Garda:

“Nuk lexoji emra te Bajrave, e Pëllumb Gjokës, nuk lexoi emrat e partisë së vërtetë, të krimit. Lexoji Lubi Ballukun…” – tha Berisha.

Në emër të shumicës parlamentare, Taulant Balla propozoi 6 emrat për Komisionin e Verifikimit të Mandateve për 140 deputetët e rinj. Deri sa komisioni të kryejë punën, deputetët do të rikthehen pasdite për betimin individual.

PD zgjodhi të mos përfshihej në këtë komision dhe as në Sekretarinë e Përkohshme, me deputeten Klodiana Çapja që refuzoi të bashkohej me koleget e reja socialiste.

Seancën ndoqën përfaqësitë diplomatike, përfshirë dërguesen amerikane Nancy VanHorn, si dhe krerët fetarë. Kryeministri Rama ishte prezent dhe ironizoi opozitën për protestat e tyre me pankarta që shigjetonin mazhorancën.

Në total, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, nga të cilët 72 janë të rinj. PS hyn me 83 deputetë, 53 prej të cilëve të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, ku 14 janë prurje të reja. PSD ka 3 deputetë, partia Mundësia 2, dhe Lëvizja Bashkë e Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet secila.

Pas betimit të deputetëve, pritet që mazhoranca të propozojë Niko Peleshin për kryetar të Kuvendit, njësoj siç njoftoi Edi Rama. Votimi do të bëhet me fletë dhe kuti votimi, dhe pas shpalljes së rezultatit, kryetari i ri do të mbajë fjalën e tij të parë.

Në seancën e radhës, kryeministri Rama do t’i prezantojë Kuvendit qeverinë e re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.

Anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Mandateve:

Milva Ekonomi

Olsi Komici

Aulona Bylykbashi

Hatixhe Konomi

Elton Korreshi

Arkend Balla